65-vjeçari Paulin Filopati është identifikuar si viktima e aksidentit të rëndë automobilistik të ndodhur këtë të shtunë në aksin e vjetër Thumanë-Fushë Krujë.
Filopati ishte një emër i njohur i artit dhe traditës folklorike mirditore. Ndarja e tij nga jeta ka shkaktuar dhimbje te familjarët, miqtë dhe komuniteti artistik, ku ai ishte vlerësuar për kontributin ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e muzikës tradicionale.
Ai ishte pjesë e Grupit të Burrave të Ansamblit Mirdita, mbante titullin “Mjeshtër i Madh” dhe ishte gjithashtu artist i Grupit Kthella. Paulin Filopati ishte njëri prej tre vëllezërve Filopati, së bashku me Gjovalinin dhe Pashkun, të njohur për kontributin e tyre në muzikën popullore mirditore.
Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur miku i tij, Gjergj Marku, i cili ka shprehur dhimbjen për humbjen e artistit, duke e përshkruar si një njeri shpirtbardhë dhe gjithmonë të qeshur.
Sipas tij, në momentin e aksidentit pranë Paulin Filopatit ndodhej edhe bashkëshortja, e cila fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.
Ceremonia mortore do të zhvillohet në Katedralen e Rrëshenit, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet të hënën, më 16 nëntor 2026, në orën 12:00, në varrezat e Kodër Rrëshenit.













