Dy persona, përfshirë një fëmijë, kanë mbetur të vrarë dhe të paktën një tjetër është plagosur nga shpërthimi i një pajisjeje eksplozive të vendosur në një veturë në periferi të kryeqytetit sirian, Damask, raporton Associated Press (AP).
Shpërthimi ndodhi të shtunën në mbrëmje në lagjen Jaramana, në jug të Damaskut, pranë një fabrike të prodhimit të baterive.
Televizioni shtetëror sirian raportoi fillimisht për dy të vrarë dhe dy të plagosur, ndërsa Ministria e Brendshme konfirmoi se në mesin e viktimave është edhe një fëmijë, duke bërë të ditur se një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas Ministrisë së Brendshme, forcat e sigurisë kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e shpërthimit.
Në muajt e fundit, në Damask dhe në periferitë e tij janë regjistruar disa shpërthime, në një kohë kur situata e sigurisë në Siri mbetet e brishtë.
Kjo ndodh gati dy vjet pas përfundimit të sundimit mbi pesëdekadësh të familjes Assad, në dhjetor të vitit 2024, kur militantët hynë në kryeqytet dhe rrëzuan nga pushteti presidentin e atëhershëm, Bashar al-Assad.
Jaramana është një zonë ku jeton një komunitet i madh i pakicës fetare druze. Në këtë periferi janë shënuar tensione mes disa pjesëtarëve të komunitetit druz dhe sirianëve sunitë që mbështesin qeverinë aktuale, të udhëhequr nga islamistët.