Një video humoristike në TikTok mjaftoi që ndjekësit të nisnin të dyshonin se Fifi ishte në pritje të ëmbël për herë të dytë. Por këngëtarja i ka dhënë fund aludimeve, duke sqaruar se nuk ka në plan të bëhet sërish nënë.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Fifi foli për familjen dhe planet për të ardhmen, duke zbuluar se nuk dëshiron një tjetër fëmijë. Sipas saj, djali i tyre tashmë e ka një vëlla, ndaj familja nuk ka nevojë për një tjetër shtatzëni. Lajmet që qarkulluan së fundmi, siç shpjegoi ajo, nisën pikërisht nga një video me humor që publikoi në TikTok.
Gjatë bisedës, këngëtarja u ndal edhe te mëmësia dhe mënyra se si ardhja në jetë e të birit ka ndryshuar këndvështrimin e saj. Fifi pranoi se periudha pas lindjes nuk kishte qenë e lehtë, duke folur hapur edhe për përjetimin e depresionit post-partum.
“Nuk e kam ditur kuptimin e fjalës nënë derisa u bëra vetë nënë. Tani të gjithë njerëzit i shumëzoj me zero”, u shpreh ajo.
Një nga momentet që e bëri të reflektonte më shumë ishte kur djali nisi të fliste dhe të përdorte shprehje që dëgjonte në përditshmëri. Pikërisht atëherë Fifi kuptoi se sjellja e saj do të ndikonte drejtpërdrejt te mënyra se si do të rritej i biri.
“Duhet të jesh një shembull për këtë të voglin që po rritet dhe nëse unë nuk jam shembull, atëherë…”, tha këngëtarja, duke shtuar se, pavarësisht ndryshimeve që ka sjellë mëmësia, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga sinqeriteti dhe karakteri i saj i drejtpërdrejtë.
Fifi foli edhe për marrëdhënien me bashkëshortin, Adisin, duke treguar se ardhja në jetë e djalit ka ndikuar edhe në mënyrën se si e sheh partnerin. Ajo tha se sot e do, e vlerëson dhe e respekton edhe më shumë. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se mungojnë debatet dhe mosmarrëveshjet, por këngëtarja theksoi se ndihet me fat që ka mbështetjen e tij.
“Unë jam e lumtur që e kam një njeri si ai në krah, sepse është krenar për punën time dhe për atë që bëj. Jam e lumtur që kam një njeri mbështetës si ai, një njeri që rrallë mund ta ketë një artist”, u shpreh Fifi.


