E diela me mot të paqëndrueshëm, priten reshje shiu dhe shtrëngata në disa zona të vendit

Moti në vend pritet të jetë i paqëndrueshëm ditën e diel, me reshje shiu që do të përfshijnë gradualisht të gjithë territorin, ndërsa në disa zona parashikohen edhe shtrëngata afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), pjesa e parë e ditës do të karakterizohet nga kthjellime, ndërsa pas mesditës do të ketë shtim të vranësirave, të cilat do të bëhen mesatare deri të dendura.
Reshjet e shiut me intensitet të ulët pritet të nisin pas mesditës, fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe më pas të shtrihen gradualisht në pjesën tjetër të territorit.
Gjatë pasdites dhe mbrëmjes, në zonat veriore, veriperëndimore, perëndimore dhe jugperëndimore, reshjet pritet të intensifikohen deri në nivel mesatar. Në këto zona nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra, shkarkesa elektrike dhe episode me reshje të rrëmbyeshme për periudha të shkurtra kohore.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë kryesisht nga juglindja dhe jugperëndimi, me shpejtësi mesatare 8 m/s. Herë pas here, shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 15 m/s, kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore.
Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 2-4 ballë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



