Rama akuzon Qeverinë për bllokim të projekteve në Prishtinë: Po sabotohet kryeqyteti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të mbështetjes financiare dhe pengim të projekteve madhore infrastrukturore në kryeqytet, duke përmendur veçanërisht Unazën e Kryeqytetit dhe projektin e Operës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Rama ka thënë se Prishtina kontribuon me së paku 2.1 miliardë euro në buxhetin e shtetit, ndërsa nga niveli qendror merr vetëm 161 milionë euro, ku, sipas tij, gati gjysma shpenzohen për paga.

“Po, unë i kam bërë thirrje qeverisë që të mendojnë për kryeqytetin, sepse kryeqyteti e paguan gjysmën e buxhetit të gjithë shtetit. Pra, nëse buxheti i shtetit është 4.3 miliardë, Prishtina me qytetarët e vet, me bizneset e veta i paguan nivelit qendror 2.1 miliardë së paku. 2.1 miliardë. Derisa merr prapa 161 milionë, ku gati thuajse gjysma e tyre janë rroga”, tha Rama.

Një prej projekteve për të cilat Rama ka shprehur pakënaqësi është Unaza e Kryeqytetit, për të cilën ka thënë se procesi i realizimit po zvarritet prej më shumë se katër vjetësh.

Ai ka theksuar se ky projekt është në interes jo vetëm të banorëve të Prishtinës, por edhe të qytetarëve të tjerë të Kosovës që qarkullojnë në kryeqytet.

“E po ashtu, nuk mendohet pra e dini që ne kemi kërkuar për unazën me ndërtu unazën e kryeqytetit tash po thuajse më shumë se katër vite, sepse është për të mirën jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë Kosovës. E kanë bllokuar këtë proces, e tash pas katër vjete po thonë që e kanë buxhetuar”, potencoi ai.

Rama ka rikujtuar se, sipas një analize të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të vitit 2021, kostoja e ndërtimit të Unazës ishte vlerësuar në 206 milionë euro.

Megjithatë, ai ka thënë se ndarjet buxhetore të Qeverisë ndër vite kanë qenë dukshëm më të ulëta sesa shuma e nevojshme për realizimin e projektit.

“Pra, në vitin 2021 buxheti, i cili është analizuar prej EBRD-së, prej Bankës për Zhvillimore Evropiane, ka qenë 206 milionë për me e ndërtuar unazën. Sa i ka ndarë qeveria? 1 milionë vitin e parë, 10 të dytin, 50 të tretin. Pra total 61 milionë”, është shprehur Rama.

Kreu i Prishtinës ka kërkuar që për ndërtimin e Unazës të sigurohen së paku 206 milionë euro, duke paralajmëruar se kostoja mund të jetë rritur për shkak të ndryshimit të çmimeve.

Sipas tij, projekti duhet të përfundojë brenda dy vjetësh, ose më së shumti tre vjetësh.

“Unaza duhet me u ndërtu për dy vjet, për 24 muaj, ose mbase së shumti që për tre vjet. Pra duhet me u ndarë së paku 206 milionë që është paraparë qysh në vitin 2021. E duke pasur parasysh që kanë lëvizur çmimet, atëherë duhet me qenë edhe më shumë se 206 milionë”, shtoi ai.

Rama ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë, duke e akuzuar se po pengon zhvillimin e kryeqytetit dhe po u jep qytetarëve premtime për investime, ndërkohë që, sipas tij, nuk po mundëson realizimin e tyre.

“Pra, qeveria për fat të keq iu qet hi qytetarëve të kryeqytetit, vazhdon me gënjeshtra, vazhdon me sabotazh ndaj kryeqytetit, mirëpo kjo tash po shihet. Po them, ne si kryeqytet po vazhdojmë me projekte madhore, derisa ata po vazhdojnë me sabotazh, me bllokada edhe me rrena”, potencoi ai.

Pavarësisht akuzave, kryetari i Prishtinës u ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të reflektojnë dhe të bashkëpunojnë me Komunën për realizimin e projekteve.

“Uroj që të reflektojnë, faktikisht i ftoj që të reflektojnë e të bashkëpunojnë”, tha Rama.

Kritika ai ka adresuar edhe lidhur me projektin e Operës, duke kundërshtuar planifikimet për ndërtimin e saj në hapësirën që lidh Pallatin e Rinisë me lagjen Arbëria.

Sipas Ramës, Komuna në të kaluarën është penguar të zhvillojë projekte në atë zonë me arsyetimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ndërsa tash, sipas tij, po planifikohet ndërtimi i një objekti të madh.

“Keni parë edhe projektin e tyre me Operan, për shembull, që totalisht e injorojnë këtë platformën e cila i lidh pallatin e rinisë së bashku me Arbërinë. Pra, deri tash në emër të kinse trashëgimisë kulturore neve na kanë bllokuar, e tash po bëj ka me u ndërtuar atje një ndërtesë super e madhe e gjë që nuk i vijnë kryeqytetit asgjë, sepse e kemi sallën koncertale”, shtoi Rama.

Ai ka vlerësuar se projektet e mëdha duhet të planifikohen dhe të realizohen në bashkëpunim ndërmjet institucioneve, në mënyrë që fondet publike të shfrytëzohen në interes të qytetarëve.

Në fund, Rama ka thënë se pasojat e pengimit të projekteve nuk i bart ai personalisht, por qytetarët e kryeqytetit, veçanërisht të rinjtë.

“Ne kemi diskutuar dhe kemi thënë, eja të bashkëbisedojmë sepse këto, gjithë këto zhvillime duhet me u bashkërendit, me u bashkëbiseduar për të mirën e qytetarëve, jo për inate me harxhuar fonde të buxhetit të qytetarëve të cilët paguajnë taksa, pra me i çuar kot, me i çuar poshtë edhe me i shfrytëzuar për bllokada, pra kundër qytetarëve faktikisht, se mua s’më bëjnë kurgjo. Qytetarët, rininë tonë, të ardhmen tonë po e bllokojnë e po e sabotojnë, jo Përparim Ramën”, ka përfunduar Rama.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika