SpaceX ka shënuar një arritje historike në eksplorimin hapësinor.
Faza e sipërme e raketës orbitale Starship është ulur në platformën nga e cila ishte nisur 22 orë e gjysmë më parë, në Starbase. Gjatë natës, e njëjta manovër, e cila kishte rezultuar e suksesshme edhe në raste të tjera, nuk arriti të realizohej për raketën përforcuese, e cila u ul në ujërat e Gjirit të Meksikës dhe më pas shpërtheu.
Starship u kap në ajër nga dy krahë gjigantë mekanikë, duke realizuar “finalen madhështore” që Elon Musk dhe ekipi i tij kishin shpresuar: kapjen e parë në histori të një Starship-i që kthehet nga hapësira.
Kjo ngjarje spektakolare që duket thuajse si diçka e dalë nga filmat fantastiko-shkencorë, zbehu dështimin për rikuperimin e raketës përforcuese. Kamerat filmuan anijen kozmike duke u lëkundur lart e poshtë, ndërsa qëndronte pezull mbi tokë, e mbajtur nga krahët mekanikë të kullës së lëshimit.
“A mund ta besoni?”, bërtiti komentatori i SpaceX, Dan Huot, duke shqiptuar çdo fjalë me emocion. “Shikojeni! U kthye, njerëz!”
Ky sukses i rëndësishëm pritet t'i mundësojë kompanisë të përshpejtojë zhvillimin e raketës gjigante, një version i së cilës është parashikuar për programin hënor Artemis të NASA-s, i cili ka pësuar vonesa të shumta.
Tani, ekipet e SpaceX duhet të verifikojnë nëse mjeti hapësinor ka pësuar dëmtime të konsiderueshme gjatë rikthimit në Tokë, për shkak të kushteve ekstreme të krijuara gjatë përshkimit të atmosferës, si dhe nëse ai është në gjendje të fluturojë përsëri brenda një kohe të shkurtër, pa pasur nevojë për ndërhyrje të ndërlikuara, siç ndodhte me anijet e vjetra hapësinore Shuttle të NASA-s.
NASA po paguan miliarda dollarë për të mundësuar uljen e astronautëve të misionit Artemis në Hënë me anë të Starship-it gjatë këtij dhjetëvjeçari, si dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një baze të përhershme hënore.
Ambiciet e Musk janë edhe më të mëdha: ai dëshiron të dërgojë një flotë raketash Starship për të ndërtuar një qytet në Mars.
Raketa më e madhe dhe më e fuqishme në botë, me gjatësi 124 metra, u nis në orët e vona të pasdites së së premtes nga baza Starship e SpaceX, pranë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Ajo përfundoi 14 rrotullime rreth Tokës, duke tejkaluar ndjeshëm një ose dy rrotullimet që kishte realizuar misioni i mëparshëm.

SpaceX parashikon të fillojë lëshimin e raketave Starship nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida brenda muajve të ardhshëm. Ky është vendi nga ku do të niset misioni i ardhshëm Artemis i NASA-s, i cili nuk do të shkojë në Hënë, por do të qëndrojë në orbitën e Tokës për të kryer teste me modulin e uljes hënore.
Katër astronautët e misionit Artemis III do të përpiqen të bashkojnë kapsulën e tyre jo vetëm me Starship-in, por edhe me Blue Moon të kompanisë Blue Origin.
Të dyja kompanitë do të alternohen në transportimin e ekuipazheve drejt sipërfaqes së Hënës.
NASA synon vitin 2028 për misionin Artemis IV, i cili parashikohet të jetë ulja e parë e njerëzve në Hënë që nga epoka e programit Apollo, më shumë se gjysmë shekulli më parë./Corriere




Komente
Komento