
Edicioni i dhjetë i Maratonës së Tiranës ka nisur sot në orën 08:00, duke bërë bashkë rreth 5,800 pjesëmarrës në këtë aktivitet sportiv. Risia e këtij viti është përfshirja e garës prej 5 kilometrash, e cila synon të nxisë pjesëmarrjen e sa më shumë qytetarëve në këtë event.
Për organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit janë angazhuar prej gjashtë muajsh rreth 600 vullnetarë, 800 efektivë policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.
Për shkak të zhvillimit të maratonës, deri në orën 16:00 do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
E gjithë Unaza e Vogël e Tiranës do të jetë e bllokuar për automjetet, së bashku me bulevardin “Zogu i Parë” dhe Bulevardin e Ri. Kufizimet do të përfshijnë gjithashtu segmentin nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, “Myslym Shyrin”, rrugët në zonën e ish-Bllokut, si dhe kryqëzimet që lidhin bulevardin me Rrugën e Elbasanit.
Ndërkohë, maratona do të sjellë ndryshime edhe në transportin publik, pasi disa linja të autobusëve urbanë do të devijojnë itinerarin e tyre gjatë ditës së sotme.