Kampioni olimpik Pirro Dhima ka kërkuar të largohet nga posti i këshilltarit special në Ministrinë e Sportit në Greqi, pas arrestimit të vëllait të tij, Odhise Dhima, i dyshuar për furnizimin e sportistëve me substanca dopingu. Megjithatë, dorëheqja e tij nuk është pranuar nga zëvendësministri i Sportit, Janis Vrutsis.
Sipas mediave greke, vendimi i Pirro Dhimës lidhej me ndjeshmërinë dhe dinjitetin personal pas përfshirjes së të vëllait në skandal. Por Vrutsis nuk e ka konsideruar të nevojshëm largimin e tij, duke argumentuar se përgjegjësia për veprimet e një familjari nuk mund t’i atribuohet atij. “Çfarë lidhjeje ke ti me këtë çështje?”, raportohet t’i ketë thënë zëvendësministri.
Ndërkohë, Pirro Dhima vijon të mbajë postin e sekretarit special në Federatën e Peshëngritjes. Ai është një prej sportistëve më të suksesshëm shqiptarë, me tri medalje ari dhe një medalje bronzi të fituara në Lojërat Olimpike.
Vëllai i tij, 58-vjeçari Odhise Dhima, u arrestua mëngjesin e së enjtes në Atikë, pas një hetimi disa mujor të zhvilluar në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF).
Ai dyshohet se përdorte pozicionin e tij si trajner peshëngritjeje për të furnizuar sportistët me substanca të ndaluara dhe për t’ua administruar ato, të paktën që prej prillit të vitit 2024. Një prej rasteve të përfshira në hetim është edhe ai i djalit të tij të mitur, të cilit dyshohet se i kishte dhënë një substancë dopingu gjatë një gare.
Në mostrën e urinës së të miturit u zbulua oksandrolon, një substancë e përfshirë në listën e produkteve të ndaluara nga Agjencia Botërore Antidoping (WADA).
Gjatë kontrolleve në banesën e 58-vjeçarit dhe në ambiente sportive në Atikë, autoritetet sekuestruan 871 njësi preparatesh farmaceutike të paligjshme dhe substancash dopingu, në formë tabletash dhe ampulash. Në cilësinë e provave materiale u morën gjithashtu 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë, një telefon celular dhe 15 mijë euro.
Sipas Organizatës Kombëtare të Barnave në Greqi, preparatet e sekuestruara nuk janë të autorizuara për tregtim në tregun grek dhe konsiderohen të dëmshme për shëndetin e personave që i përdorin.


