Kampioni olimpik Pirro Dhima ka paraqitur dorëheqjen nga posti i këshilltarit special në Ministrinë e Sportit në Greqi, pas skandalit të dopingut ku është përfshirë vëllai i tij, Odhise Dhima.
Megjithatë, zëvendësministri i Sportit, Janis Vrutsis, nuk e ka pranuar dorëheqjen, duke argumentuar se përgjegjësia për veprimet e një familjari nuk mund t’i ngarkohet atij.
Sipas mediave greke, vendimi i Pirro Dhimës është marrë për arsye të ndjeshmërisë dhe dinjitetit personal. Por Vrutsis ka kundërshtuar largimin e tij nga detyra, duke iu përgjigjur: “Çfarë lidhjeje ke ti me këtë çështje?”
Pirro Dhima vijon të mbajë gjithashtu postin e sekretarit special në Federatën e Peshëngritjes. Sportisti i njohur i ka sjellë Greqisë tri medalje olimpike ari dhe një medalje bronzi.
Arrestimi i vëllait dhe hetimet për doping
Vëllai i tij, 58-vjeçari Odhise Dhima, u arrestua mëngjesin e së enjtes në një zonë të Atikës, nën dyshimin për shkelje të legjislacionit kundër dopingut.
Arrestimi erdhi pas një hetimi disa mujor, të zhvilluar në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF).
Sipas policisë greke, Odhise Dhima dyshohet se shfrytëzonte pozicionin e tij si trajner peshëngritjeje për të furnizuar sportistët me substanca të ndaluara dhe për t’ua administruar ato, të paktën që prej prillit të vitit 2024.
Mes rasteve të evidentuara nga hetuesit është edhe ai i djalit të tij të mitur, të cilit dyshohet se i ka dhënë një substancë të ndaluar gjatë një gare.
Në analizën e mostrës së urinës së sportistit të mitur u zbulua oksandrolon, një substancë e përfshirë në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA).
871 preparate të paligjshme dhe 15 mijë euro të sekuestruara
Gjatë kontrolleve në banesën e 58-vjeçarit dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 njësi preparatesh farmaceutike të paligjshme dhe substancash dopingu, në formën e tabletave dhe ampulave.
Gjithashtu, u sekuestruan 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë, një telefon celular dhe 15 mijë euro.
Sipas Organizatës Kombëtare të Barnave të Greqisë, preparatet e sekuestruara nuk kanë autorizim për t’u tregtuar në tregun grek dhe konsiderohen të dëmshme për shëndetin e personave që i përdorin.
