Një studim i Universitetit të Xhorxhias sugjeron se personat me indeks më të lartë të masës trupore mund të përjetojnë rënie më të shpejtë të kujtesës dhe aftësive njohëse me kalimin e viteve.

Hulumtimi ndoqi më shumë se 8,200 të rritur mbi moshën 50-vjeçare për një periudhë 24-vjeçare, nga viti 1996 deri në vitin 2020.


Studiuesit analizuan ndryshimet në indeksin e masës trupore dhe ndikimin e tyre në funksionet njohëse.

Sipas rezultateve, një indeks më i lartë i masës trupore lidhej me rënie më të shpejtë të kujtesës dhe të funksioneve ekzekutive.

Këto të fundit përfshijnë përqendrimin, organizimin, planifikimin, kontrollin e emocioneve dhe marrjen e vendimeve.

Lidhja mes peshës trupore dhe rënies njohëse ishte më e dukshme te personat mbi 65 vjeç. Studiuesit vërejtën gjithashtu se ndryshimet në këtë drejtim ishin veçanërisht të theksuara rreth vitit të tetë të ndjekjes.

Megjithatë, autorët theksojnë se studimi nuk provon se pesha e tepërt shkakton drejtpërdrejt dëmtime të trurit.

Ata dyshojnë se procese si inflamacioni, qarkullimi jo i mirë i gjakut dhe rezistenca ndaj insulinës mund të luajnë rol në këtë lidhje.

Sipas autorit kryesor, Suhang Song, menaxhimi i peshës mund të ndihmojë në ngadalësimin e rënies së aftësive njohëse.

Studiuesit nënvizojnë se identifikimi i faktorëve të rrezikut që mund të kontrollohen është i rëndësishëm në parandalimin e demencës. /Telegrafi/