Presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi se vendet që kërkojnë të kufizojnë ndihmën për Ukrainën rrezikojnë ta detyrojnë Kievin drejt një “paqeje të padrejtë”, që sipas tij do të shërbente si recetë për një tjetër luftë në Europë.
Deklarata e tij vjen në momentin kur Shtetet e Bashkuara po ndërmjetësojnë bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit të nisur me pushtimin në shkallë të plotë nga Moska, në vitin 2022.
Ata që duan të racionojnë ndihmën për Ukrainën, në thelb dëshirojnë t’i imponojnë asaj dhe rrjedhimisht gjithë Europës, një paqe të padrejtë. Kjo është frymë disfate. Kjo është një recetë për një luftë tjetër. Ky nuk mund të jetë qëndrimi i Francës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri të ditur se Uashingtoni i ka sugjeruar Kievit të lëshojë territore në favor të Moskës, në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Të dërguarit amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të enjten zhvilluan takime të ndara me presidentin rus Vladimir Putin dhe me Zelensky-n, pas dy ditësh bisedimesh në Abu Dhabi e që u mbyllën pa një marrëveshje konkrete.
Por, negociatat prodhuan dakordësinë që vendet europiane të përfshihen në raundet e ardhshme të bisedimeve për përfundimin e luftës. Të premten në Dublin, Europa përzgjodhi Francën, Gjermaninë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Poloninë, për të dërguar përfaqësuesit e tyre në tryezën e negociatave.
Sipas shefit të Elizesë, aleatët e Ukrainës duhet të përcaktojnë qartë vizionin e tyre për periudhën e pasluftës, si dhe të saktësojnë pritshmëritë ndaj Shteteve të Bashkuara, sa i përket sigurisë afatgjatë të Evropës.
Ai vlerësoi se Vladimir Putin nuk ka vullnet real për të negociuar, por po përpiqet ta gjunjëzojë Ukrainën duke intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa ndaj civilëve e infrastrukturës energjetike, në prag të dimrit.
Për këtë arsye, Macron bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes financiare dhe ndihmës për mbrojtjen e popullsisë, termocentraleve dhe rrjeteve energjetike të Ukrainës.