Gripi i ashpër dhe me rikthim temperature, mjekja: Pas gjendjes virale konstatohen edhe efekte dytësore tek moshat e mëdha

Shëndet | 5 minuta më parë

Luhatja e temperaturave dhe ndryshimi i kushteve atmosferike ka bërë që në qendrat shëndetësore të shtohet fluksi i ankesave të pacientëve. Temperaturë, kollë, dhimbje fyti dhe sekrecione nazale, janë ndër simptomat më të shpeshta ndërsa mjekët konstatojnë një tablo të ndryshme klinike, nga ato më të lehtat e deri tek më të rëndat.

“Kemi patur dhe infeksione të traktit të sipërm që i përket pjesës së laringut, të faringut, të tonsilave, domethënë tonsilita purulente të cilat janë diagnostikuar më tutje me një kulturë fyti që nuk kanë rezultuar grip apo virus, por shtame bakteriale, stafilokok, streptokok”, tha mjekja Violeta Kaçori.

Por mjekja Violeta Kaçorri thotë për RTSH se ka patur shumë raste kur të rriturit, pasi kanë bërë vetëm një episod temperature të lehtë, janë rikthyer pas disa ditësh më bronke të mbushura me sekrecione.

“Sigurisht që me një temperaturë 37 një ditore pacienti nuk paraqitet pranë qendrës, por më pas është vënë re një rikthimi i temperaturës dhe këtu është parë që është një mbivendosje bakteriale. Mbas 10 ditësh është një temperaturë 38 dhe kanë kaluar në bronkit, por dhe në bronkopneumoni”, shprehet mjekja.

Gripi po prek të gjitha moshat por tek ata mbi 60 vjeç sipas mjekëve po lë edhe pasoja dytësore.

“Kryesisht grupmoshat mbi moshën 55-60 vjeç janë prekur dhe ato kanë krijuar edhe problematika dytësore që do të thotë për shembull pacienti ka ardhur mbas dy javësh që ka kaluar gjendja virale me vlera shumë të larta të tensionit me infeksion urinar i cili është parë vetëm në një analizë urinë dhe pa shenja simptomatike, sidomos te diabetikët që nuk kanë shenja, dhe me një dhimbje koke të vazhdueshme e cila persistonte”, deklaron mjekja.

Mjekët këshillojnë që pacientët të mos neglizhojnë simptomat veçanërisht kur temperature rikthehet dhe përkeqësohet. Vaksinimi ndaj gripit është përthithur me shpejtësi nga grupet në risk, ndërkohë që shmangia e kontakteve me njerëz të sëmurë mbetet masë e rëndësishme parandaluese.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme