Nga Boldnews.al
Për disa vite me radhë, banorët e Mezhgoranit, në Tepelenëë, kundërshtonin projektin e Bashkisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e një ujësjellësi në zonën e Peshtanit. Ata nuk ishin kundër investimit. Por, e kishin kuptuar më së miri se projekti nuk lidhej me përmirësimin e situatës së banorëve, por me kanalizimin e ujit drejt një resorti privat.
Pavarësisht protestave të shpeshta, projekti i vitit 2021 për “Ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë të fshatit Peshtan-Mezhgoran”, me kosto rreth 2 milionë euro, ka avancuar, megjithëse me ngadalë, për shkak të kundërshtive të banorëve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një Audit Përputhshmërie të krye në Bashkinë Tepelenë, konstaton se ujësjellësi nuk është përfunduar, ndërkohë që janë kryer pagesat në shumën 64 milionë lekë të reja për kompanitë ndërtuese “2T shpk” dhe “G.P.G Company”.
Për KLSH-në, ky shpenzim është tërësisht pa ekonomicitet, pasi vepra publike nuk është përfunduar. Audituesit shtetërorë i rekomandojnë Bashkisë së Tepelenës që “të marrë masa për ngritjen e një grupi pune për të evidentuar shkaqet dhe personat përgjegjës, që kanë sjellë përdorimin pa eficiencë të buxhetit të Autoritetit Kontraktor në vlerën 63,989,574.84 lekë pa TVSH të paguara për punime që nuk kanë prodhuar efektin e pritshëm në objektin e mësipërm”.
Investimi problematik për ujësjellësin Peshtan-Mezhgoran është njëra anë e problemit. KLSH ka kryer verifikime të thelluara edhe mbi “shkakun” e vonesës në zbatimin e projektit-resortin “Hako”, i cili është bërë shkak për reagimin e banorëve.
Kontrolli ka zbuluar një “mal” me shkelje në ndërtimin e “Agro resort Peshtan”, që po ndërtohet nga shoqëria në pronësi të sipërmarrësit, Adnan Hako. Janë shkelje, për të cilat ish-kryetari i Bashkisë, sot deputet i Partisë Socialiste, Tërmet Peçi, ka mbyllur sytë totalisht.
Resorti i “Hako-s”
Në Korrik të vitit 2022, Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, i dha statusin e “investitorit strategjik” projektit “Zagroturizëm”, një projekt i propozuar nga një kompani me të njëjtin emër, në pronësi të Adnan Hako, i njohur më shumë për prodhimin e produkteve të sallamërisë.
Sipas vendimit, projekti përfshin ndërtimin e një hoteli me 62 dhoma, në një sipërfaqe totale prej 14 mijë metra katrorë, në zonën e Peshtanit, në Tepelenë.

Gjithashtu, sipas aktit të firmosur nga Edi Rama, projekti përfshinte edhe ndërtimin e një vreshti, një kantine, ambjente shlodhëse dhe disa vila druri, në një sipërfaqe totale prej 32 mijë metra katrorë. Vlera e projektit parashikohej rreth 5.5 milionë euro.
Procedurat për zbatimin e projektit ishin pjesë e verifikimeve të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimit në Bashkinë e Tepelenës.
Shkeljet
KLSH ka renditur një dyzinë shkelje të ndryshme, të cilin nisin nga statusi i paqartë i pronësisë mbi tokën ku është miratuar projekti, e deri tek problematika me projektin arkitektonik, furnizimin me ujë të pijshëm e energji elektrike.
Pronësia
KLSH-ja thotë se pronësia e truallit ku është ndërtuar “Resorti Agroturistik Peshtan” ka problematika të konsiderueshme.
“Dokumentet e pronësisë nuk janë ngarkuar të noterizuara, nuk është marrë siguri e lartë se mbi pronën në zhvillim nuk janë kryer transaksione ose tjetërsime. Shtatë nga njëmbëdhjetë (23; 34; 27; 24; 25; 26/1; 26/2) nga pasuritë që marrin pjesë në zhvillim nuk gëzojnë dokumentacionin përfundimtar të pronësisë, por janë të pajisura me: “Certifikatë për vërtetim titulli “Në përdorim” apo “Certifikatë regjistrimi “Përdorimi”. Në dy raste (23; 25; 34), dokumentet e pronësisë nuk janë të rifreskuar përgjatë tre muajve të fundit”, thuhet në Raportin e Auditimit.

Për të pasur një panoramë më të qartë të kësaj problematike, mund të risillet në vëmendje ndërhyrja qeveritare në zonën e Thethit, në verën e vitit 2025.
Kryeministri Rama e mbrojti ndërhyrjen e fadromave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (IKMT) në zonën veriore të Thethit, me argumentin se ndërtuesit e bujtinave të ndryshme nuk kishin akte pronësie mbi tokën.
Banorët e Thethit e kundërshtuan aksionin qeveritar, me argumentin se trualli ishte pronë e tyre, e njohur brez pas brezi. Por, për qeverinë, përsa kohë nuk kishin akte pronësie, trualli nuk ishte i tyre dhe ndërtimet quheshin të paligjshme.
Pra, në Theth, ligji veproi me “forcën maksimale”. Ndërsa, në Tepelenë, për resortin e Hako-s, problematikat me pronësinë, të identifikuara nga KLSH-ja, u anashkaluan.
Projekti
KLSH-ja thotë se projekti arkitektonik i “Agro resort Peshtan” nuk është i plotë, pasi mungojnë dy prej fasadave teknike të objektit. Gjithashtu, mungojnë pjesë të projektit për mbrojtjen nga zjarri, hidrosanitar dhe atij elektrik.
Audituesit shtetërorë kanë konstatuar se projekti hidrosanitar është i paplotë, pasi mungon lidhja me rrjetin e qytetit për furnizimin me ujë. Po ashtu, mungojnë pajisjet rrufepritëse, detajet e instalimeve elektrike, etj.
Përgjegjësia e Tërmet Peçit
Pasi kryen listin e shkeljeve në projektin “Agro resort Peshtan”, Kontrolli i Lartë i Shtetit arrin në konkluzionin se përgjegjësia për to është e “z. T.P, me funksion kryetar bashkie, aktualisht i larguar”.

Pavarësisht se në Raportin e KLSH-së, “kryetari i bashkisë i larguar”, identifikohet me inicialet T.P, është e qartë që bëhet fjalë për Tërmet Peçin, i cili ka qenë në këtë funksion gjatë viteve 2021-2025, kohë kur është miratuar dhe zhvilluar investimi i kompanisë “Zagroturizëm” të Adnan Hakos.
Tërmet Peçi ka ushtruar detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tepelës prej vitit 2011. Në vitin 2025 ai dha dorëheqjen për të kandiduar për deputet, si pjesë e listës së Partisë Socialiste në pushtet. Ai vijon të jetë në detyrën e ligjvënësit.













