OpenAI ka prezantuar ChatGPT Wallet, një veçori të re që u mundëson agjentëve të saj të inteligjencës artificiale, Dots, të kryejnë blerje në emër të përdoruesve.

Shërbimi është zhvilluar në bashkëpunim me American Express, Mastercard dhe Visa, ndërsa fillimisht do të jetë i disponueshëm vetëm për abonentët e ChatGPT Pro në Shtetet e Bashkuara.


Funksionimi i tij është i thjeshtë: përdoruesi regjistron një kartë pagese në Wallet dhe më pas mund t'i kërkojë agjentit të gjejë produkte ose shërbime për t'i blerë, si një veshje të re apo një hotel për udhëtimin e radhës.

Kur vjen momenti i pagesës, përdoruesit i shfaqen emri i tregtarit, artikujt e përzgjedhur, shuma totale dhe karta me të cilën do të kryhet pagesa. Transaksioni duhet të miratohet nga vetë përdoruesi përmes një verifikimi biometrik, si Face ID apo skanimi i gjurmës së gishtit.

Çdo miratim regjistrohet si dëshmi e blerjes që përdoruesi ka autorizuar, transmeton Telegrafi.

Sipas OpenAI, të dhënat e vërteta të kartës nuk i bëhen të ditura as agjentit të inteligjencës artificiale dhe as biznesit ku kryhet blerja. Në vend të tyre, pasi përdoruesi miraton transaksionin, rrjeti i pagesave gjeneron një token me numër, kod sigurie dhe datë skadimi të veçantë, përmes të cilit kryhet pagesa nga karta e regjistruar.

Kompania thotë se përdoruesit do të vazhdojnë të përfitojnë nga pikët dhe shpërblimet që ofron karta e tyre, si dhe nga mbrojtja për kontestimet e pranueshme të transaksioneve, për shembull në rastet kur produkti i blerë rezulton me defekt.

Në të ardhmen, OpenAI synon t'u mundësojë përdoruesve t'ua delegojnë plotësisht blerjet agjentëve të tyre, duke përcaktuar paraprakisht kufijtë e shpenzimeve, kategoritë e produkteve dhe periudhat kohore gjatë të cilave mund të kryhen transaksionet. Megjithatë, kjo mundësi ende nuk është funksionale.

Një tjetër sfidë lidhet me faqet e internetit që bllokojnë agjentët e inteligjencës artificiale. Për këtë arsye, OpenAI po publikon edhe një udhëzues për bizneset, të quajtur “Commerce Partner Playbook”, i cili shpjegon se si faqet dhe sistemet e pagesave mund të shmangin refuzimin e paqëllimshëm të blerjeve legjitime të kryera nga agjentët.

ChatGPT Wallet ka nisur të shpërndahet në Dots për përdoruesit e ChatGPT Pro mbi 18 vjeç në SHBA, të cilët kanë karta të pranueshme të lëshuara në këtë shtet nga American Express, Chase, Mastercard ose Visa.

Prezantimi i këtij funksioni vjen disa muaj pas lansimit të ChatGPT Finance, që u mundëson përdoruesve të lidhin llogaritë e tyre bankare me chatbotin, dhe më shumë se një vit pas prezantimit të ChatGPT Agent, i cili i dha platformës mundësinë të kryejë detyra në emër të përdoruesve. /Telegrafi/