Përparim Avdili, 39-vjeçar me prejardhje shqiptare dhe kryetar i FDP-së në qytetin e Cyrihut, ka fituar një rast gjyqësor ndaj një personi që e kishte kërcënuar përmes mesazheve anonime në rrjetin social Instagram.

Ngjarja kishte ndodhur në shkurt të vitit 2026, gjatë fushatës zgjedhore për kryetar të qytetit të Cyrihut. Avdili kishte pranuar disa mesazhe fyese dhe kërcënuese nga një llogari anonime, përfshirë kërcënime të drejtuara edhe ndaj familjes së tij.


Në njërin prej mesazheve, autori i kishte uruar politikanit dhe familjes së tij të përjetonin atë që po ndodhte me njerëzit në Gaza.

Mesazhet kishin vazhduar për disa ditë, duke bërë që Avdili të njoftonte familjen, të paraqiste rastin në polici dhe të ndryshonte agjendën e tij të fushatës, përfshirë anulimin e disa paraqitjeve publike.

Policia arriti ta identifikonte autorin vetëm tri ditë pas nisjes së hetimeve. Bëhet fjalë për një 32-vjeçar nga Mali i Zi, banues në kantonin Schwyz, i cili ishte arrestuar dhe kishte kaluar një ditë në paraburgim.

Sipas Avdilit, hetimet treguan se personi nuk kishte pasur qëllim real për ta realizuar kërcënimin, por kishte menduar se interneti ishte një hapësirë ku mund të vepronte pa pasoja.

Prokuroria e kantonit Schwyz e ka dënuar atë me urdhër penal për keqpërdorim të një mjeti telekomunikues, pasi kishte përdorur atë me qëllim shqetësimi dhe ngacmimi.

Dënimi përfshin 30 ditë-gjoba prej 40 frangash zvicerane, ku një ditë konsiderohet e vuajtur për shkak të paraburgimit. Pjesa tjetër e dënimit është pezulluar për tri vjet, nëse i dënuari nuk kryen vepra të tjera penale.

Përveç kësaj, ai duhet të paguajë një gjobë prej 300 frangash dhe shpenzimet e procedurës prej 1,250 frangash. Vendimi tashmë është i formës së prerë.

Avdili ka thënë se për herë të parë në jetën e tij ishte ndier i kërcënuar deri në atë pikë sa kishte shikuar përreth para se të dilte nga shtëpia. Ai ka vlerësuar pozitivisht punën e policisë, duke e cilësuar reagimin e saj si shumë profesional.

Rasti është raportuar nga gazeta zvicerane SonntagsBlick, ndërsa për politikanin shqiptar kërcënimet patën pasoja edhe në angazhimet profesionale dhe fushatën zgjedhore./Telegrafi/