Vendosni fjalën kyçe....

Tre të arrestuar pas protestës në Tiranë, procedohen penalisht edhe 18 persona të tjerë dhe vendosen 44 gjoba


Tre persona janë arrestuar dhe 18 të tjerë janë proceduar penalisht pas veprimeve të kundërligjshme të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme në Tiranë.

Sipas njoftimit të policisë, janë vendosur gjithashtu 44 masa administrative në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, dy prej të cilave në vlerën 500 mijë lekë.

Në vijim të veprimeve hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar:

  • E. K., 33 vjeç, i dyshuar për dëmtimin e trafikndarëseve dhe thyerjen e stendave të reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
  • I. R., 23 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur një punonjës policie për shkak të detyrës, gjatë shoqërimit në komisariat.
  • Një i mitur 15-vjeçar, i dyshuar për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”.

Përveç tyre, 18 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht.

 

44 masa administrative

Ndërkohë, në zbatim të pikës 2 të nenit 24/1 të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, policia ka plotësuar 44 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative gjatë protestës. Dy prej masave janë në vlerën 500 mijë lekë.

Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.