Edhe pse Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm në maj të vitit 2025, çështja ndaj këngëtarit Luiz Ejlli nuk është mbyllur ende. Prokuroria ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila pritet ta shqyrtojë më 24 nëntor, nën drejtimin e relatorit Sokol Binaj.
Këngëtari Luiz Ejlli vijon të përballet me një proces gjyqësor për akuzën e falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim. Prokuroria nuk ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e shpalli të pafajshëm, dhe ka kërkuar shqyrtimin e çështjes nga Gjykata e Lartë.
Sipas akuzës, gjatë periudhës kur i ishte hequr licenca e noterit, Ejlli kishte përdorur vulën noteriale për të hartuar një deklaratë që justifikonte burimin e 210 mijë eurove në favor të Fatmir Avdurramanit.
Fillimisht, më 2 tetor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e shpalli fajtor këngëtarin dhe e dënoi me një vit burgim. Për të njëjtën çështje, bashkëpandehuri Fatmir Avdurramani u dënua me 18 muaj burgim.
Megjithatë, më 8 maj 2025, Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke shpallur të pafajshëm të dy të pandehurit. Pas këtij vendimi, Prokuroria e Apelit depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar pafajësinë e tyre.
Çështja pritet të shqyrtohet më 24 nëntor, ndërsa relator është caktuar gjyqtari Sokol Binaj.


