Aktualitet Sport

Vijon Maratona e Tiranës/Rreth 5,800 garues dhe shtimi i garës prej 5 kilometrash!

Vazhdon Maratona e Tiranës që sot ka mbledhur rreth 5,800 garues, në edicionin e 10-të të saj. Aktiviteti sportiv ka nisur në orën 08:00, ndërsa risia e këtij viti është shtimi i garës prej 5 kilometrash, për të përfshirë sa më shumë qytetarë në këtë event sportiv.

Për organizimin dhe mbarëvajtjen e maratonës janë angazhuar rreth 600 vullnetarë, 800 efektivë policie e 500 punonjës të Bashkisë Tiranë, që kanë punuar prej 6 muajsh për përgatitjen e aktivitetit.

Maratona ka sjellë edhe kufizime të rëndësishme në qarkullimin e automjeteve.

Deri në orën 16:00, Unaza e Vogël, bulevardet “Zogu i Parë” dhe i Ri, si dhe disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, mbeten të bllokuara.

Kufizimet përfshijnë edhe segmentin nga sheshi “Skënderbej” te ai “Nënë Tereza”, Rrugën e Kavajës, të Durrësit, “Myslym Shyrin” dhe zonën e ish-Bllokut.

Ndryshime edhe në transportin publik.

Disa linja autobusësh urbanë kanë devijuar itineraret, për t’iu përshtatur zhvillimit të aktivitetit.