Policia e Fierit ka gjetur dhe sekuestruar tri automjete të vjedhura në Mallakastër dhe Divjakë, të cilat u zbuluan në zonën e Fushë-Mamurrasit në Kurbin dhe në Borizanë të Krujës.
Sipas policisë, dy prej automjeteve ishin vjedhur më 13 nëntor 2026 në Mallakastër, ndërsa automjeti i tretë ishte vjedhur më 13 shtator në Divjakë. Nga hetimet dyshohet se makinat do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve kriminale.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe sende të tjera që dyshohet se janë përdorur nga autorët për realizimin e vjedhjeve dhe që konsiderohen me interes për hetimin.
Gjetja e automjeteve u bë në kuadër të fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Hija e Natës”.
Në fazën e parë të këtij operacioni u zbardhën pesë raste të vjedhjes së automjeteve. Një person u arrestua, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim. Sipas policisë, ata dyshohet se vidhnin automjete për t’i përdorur më pas në ngjarje kriminale.
Strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier vijojnë punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.
