Maratona e Tiranës nuk ishte vetëm një garë për vendin e parë. Mes pjesëmarrësve që iu bashkuan këtij edicioni ishin edhe personat me aftësi të kufizuara të grupit “Wee To”, të cilët u bënë pjesë e aktivitetit dhe u vlerësuan me çmime, duke përcjellë mesazhin se sporti është për të gjithë.
Çmimet për pjesëmarrësit e këtij grupi u ndanë nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Etleva Bisha, e cila vlerësoi pjesëmarrjen e tyre dhe theksoi se aftësia e kufizuar nuk duhet të jetë pengesë për t'u bërë pjesë e jetës sportive dhe komunitare.
“Ata sot kanë dhënë një mesazh shumë të madh për gjithë banorët e Tiranës, por pse jo edhe të gjithë Shqipërisë: edhe aty ku dikush mund të duket se ka një aftësi të kufizuar, në vetvete është person si gjithë të tjerët dhe ka aftësitë dhe mundësinë për të dhënë e për të kontribuar për jetën e qytetit dhe të komunitetit”, u shpreh Bisha.
Ajo theksoi gjithashtu angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të hequr barrierat fizike dhe për të krijuar më shumë mundësi që personat me aftësi të kufizuara të marrin pjesë në sport dhe në aktivitetet e komunitetit.
Lajmi kryesor:
42 kilometra, Luiza Gega triumfon mes 5.800 garuesve në Maratonën e Tiranës, fiton çmimin prej 5 mijë eurosh! Fatjon Konomi zë vendin e parë në kategorinë e meshkujve










