Vokshi në Bruksel: Kërkojmë mbështetje për qeveri kujdestare, me Ramën nuk ka zgjedhje të lira
Partia Demokratike përcjell në Bruksel shqetësimin se, sipas kësaj force politike, me kryeministrin Rama në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme.
Ndaj, sipas PD-së, është jetike që garat zgjedhore të zhvillohen nën kujdesin e një qeverie tranzitore.
Albana Vokshi, në cilësinë e zëvendës presidentes së grave të Partive Popullore Europiane kërkoi gjatë punimeve të kongresit mbështetje që Shqipëria të mos jetë më sipas saj peng i farsave zgjedhore që organizon qeveria Rama.
Deputetja Demokrate solli në vëmendje fakte dhe dëshmi qofshin edhe personale se si janë intimiduar zgjedhësit, madje edhe kërcënuar nëse votojnë kundërshtarët politikë të qeverisë.
“Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2025, ndodhesha përpara një qendre votimi, së bashku me vajzën time dhe Malvinën, e cila është sot këtu me ne. Anëtarë të një grupi kriminal, njerëz të përfshirë në vrasje në Itali, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera, erdhën dhe më kërcënuan: “Nëse nuk largohesh, do të të marrim vajzën.” Kjo është situata në Shqipëri! Jemi përpjekur ta ngremë zërin dhe të shpjegojmë se Shqipëria është shndërruar në një narkoshtet. Narkoshteti I të parë dhe i vetmi në Europë. Jemi përpjekur t’ua shpjegojmë këtë edhe kolegëve tanë në PPE. Ata e kuptuan realisht situatën vetëm kur erdhën në Shqipëri për një vizitë studimore, ku mori pjesë edhe Presidentja e Grave të PPE-së”, tha Vokshi.
Ndalur te zgjedhjet e ardhshme vendore që do të mbahen më 9 maj, Vokshi tha se nëse nuk do të ketë një monitorim dhe ndërhyrje të arbitrit ndërkombëtar, sërish ato do të shndërrohen në farsë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




