Një komandant i lartë i Hamasit, i cili kishte marrë pjesë në planifikimin dhe drejtimin e sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, është vrarë në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës. Bëhet fjalë për Samir Abu Younis, 53 vjeç, komandantin e sapoemëruar të Brigadës së Rafahut, i cili u godit të shtunën në zonën Al-Mauasi, në jug të Gazës.

Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, si dhe nga një zyrtar lokal i organizatës. Edhe ushtria izraelite dhe agjencia e sigurisë konfirmuan se kishin kryer sulmin, duke e cilësuar Younis si një figurë qendrore në drejtimin e lartë të Hamasit.

Sipas ushtrisë izraelite, ai po përpiqej të rindërtonte fuqinë e Brigadës së Rafahut dhe të organizatës, ndërsa akuzohet se kishte udhëzuar militantët për të kryer sulme ndaj civilëve izraelitë dhe forcave ushtarake.

Ndërkohë, dëshmitarët në Gaza raportuan se katër raketa goditën një tendë në kampin Al-Uaha, ku strehohen qindra palestinezë të zhvendosur nga luftimet. Sulmi shkaktoi zjarr, ndërsa sipas një burimi mjekësor në spitalin Nasser, në Khan Younis, tre persona të plagosur u dërguan për trajtim, së bashku me trupin e një personi të vrarë.

Younis kishte marrë drejtimin e Brigadës së Rafahut më 15 shtator, pas vrasjes së komandantit të mëparshëm, Nael Abu Obeid. Ai ishte bashkuar me krahun e armatosur të Hamasit në vitin 1991 dhe më pas kishte mbajtur disa poste të rëndësishme drejtuese. Ceremonia e varrimit të tij është parashikuar të zhvillohet të dielën pasdite në Khan Younis.

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng, shkaktoi shpërthimin e luftës së fundit në Rripin e Gazës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: