
Kontratat paramartesore po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e diskutimeve për martesën dhe divorcin, por në Shqipëri përdorimi i tyre vazhdon të mbetet i kufizuar.
Përmes këtij instrumenti ligjor, partnerët mund të përcaktojnë paraprakisht mënyrën e administrimit dhe ndarjes së pasurisë, duke shmangur konfliktet e mundshme në rast divorci apo në marrëdhëniet financiare me palë të treta.
Megjithatë, kontrata paramartesore nuk lidhet vetëm me aspektin ekonomik dhe juridik. Për shumë çifte ajo vazhdon të shihet si shenjë mosbesimi ndaj partnerit. Të tjerë e konsiderojnë një mënyrë për të garantuar transparencë dhe për të mbrojtur interesat e të dy bashkëshortëve.
Avokati në Durrës, Tritan Hamitaj, thotë se kontratat paramartesore nuk kanë gjetur zbatim të gjerë gjatë 20 viteve të fundit. Sipas tij, dy prej pengesave kryesore janë mungesa e informacionit te qytetarët dhe mentaliteti. Propozimi për të rregulluar çështjet pasurore përpara martesës mund të perceptohet sikur marrëdhënia nis me dyshime dhe mungesë besimi.
Ekspertja sociale Medina Papoj vlerëson se kontrata paramartesore duhet të konsiderohet një instrument mbrojtës dhe jo një mekanizëm që favorizon njërin prej partnerëve.
Edhe pse rastet e lidhjes së kontratave të tilla nuk mungojnë, në Durrës ato vazhdojnë të jenë të pakta. Ekspertët vlerësojnë se më shumë informacion dhe ndërgjegjësim mund të rrisin përdorimin e tyre, duke ndihmuar çiftet të shmangin konfliktet dhe të kenë më shumë qartësi në marrëdhëniet pasurore.
