Mënyra si prindërit i përballojnë emocionet dhe ndërtojnë marrëdhënien me fëmijët ndikon shumë më tepër sesa mund të duket në formimin e tyre. Kur rriten me prindër emocionalisht të papjekur, fëmijët mund të mësojnë të përshtaten me pasigurinë, të fshehin ndjenjat dhe të marrin përsipër përgjegjësi që nuk u takojnë. Shpesh, këto sjellje kthehen në mekanizma mbrojtës që i ndjekin edhe kur bëhen të rritur, pa e kuptuar se nga kanë lindur.
1. Bëjnë sikur janë mirë, edhe kur nuk janë
Fëmijët nuk i ndajnë automatikisht ndjenjat e tyre me të tjerët. Për këtë, ata kanë nevojë të ndihen të sigurt në mjedisin ku rriten. Psikologia klinike e fëmijëve Megan Jeffreys e përshkruan këtë si një hapësirë të sigurt emocionalisht, ku fëmija mund t’u drejtohet prindërve kur është i hutuar, ka bërë një gabim apo po përballet me një vështirësi, duke qenë i bindur se do të marrë mbështetjen e nevojshme.
Kur kjo siguri mungon gjatë fëmijërisë, bëhet më e vështirë të krijohet edhe më vonë në jetë. Fëmijët mësohen t’i shtypin emocionet, sepse fillojnë ta shohin cenueshmërinë si diçka që mund të sjellë probleme. Si të rritur, mund të këmbëngulin se janë mirë, edhe kur në të vërtetë kanë nevojë për ndihmë, mbështetje apo thjesht dikë që t’i dëgjojë.
2. I vendosin vetes standarde pothuajse të pamundura për t’u arritur
Prindërit emocionalisht të papjekur priren të përqendrohen më shumë te gabimet dhe mangësitë e fëmijëve sesa te gjërat që ata bëjnë mirë. Në vend që t’i inkurajojnë, mund t’i bëjnë të ndihen sikur çdo gabim është shumë më i rëndë nga sa është në të vërtetë.
Kjo i mëson fëmijët se duhet të bëjnë gjithçka në mënyrë të përsosur për të shmangur kritikat dhe për të mos zhgënjyer të tjerët. Me kalimin e kohës, kjo mund të shndërrohet në perfeksionizëm dhe në një nevojë të vazhdueshme për të qenë më të mirët.
Sigurisht, askush nuk mund të jetë i përsosur. Një studim i vitit 2022 zbuloi se përpjekja për të arritur standarde të paarritshme mund të ketë pasoja të dëmshme për shëndetin mendor. Megjithatë, njerëzit që janë rritur me pritshmëri të tilla shpesh nuk e kuptojnë sa shumë po i dëmtojnë vetes, sepse vazhdojnë të besojnë se vetëm përsosmëria mund t’i mbrojë nga kritikat dhe zhgënjimet.
3. Marrin përsipër fajin për gjithçka që shkon keq
Fëmijët që rriten me prindër emocionalisht të papjekur mund të zhvillojnë zakonin për të fajësuar veten edhe për situata që nuk varen prej tyre.
Sipas pedagoges së psikologjisë Ashley Maier, njerëzit përgjithësisht priren t’ia atribuojnë sukseset e tyre aftësive personale, ndërsa dështimet faktorëve të jashtëm. Ky fenomen njihet si paragjykimi në favor të vetes. Por fëmijët që rriten me prindër emocionalisht të papjekur mund të zhvillojnë prirjen e kundërt: ta shohin veten si përgjegjës për gjithçka që shkon keq.
Një pjesë e pjekurisë emocionale është aftësia për të marrë përgjegjësi për veprimet personale. Prindërit që nuk e kanë këtë aftësi mund t’ua kalojnë vazhdimisht fajin të tjerëve, përfshirë edhe fëmijëve të tyre. Kur kjo përsëritet gjatë rritjes, fëmijët fillojnë të besojnë se janë shkaku i problemeve, edhe kur nuk kanë asnjë përgjegjësi për to.
4. Nuk afrohen shumë me njerëzit nga frika se një ditë mund t’i braktisin
Marrëdhënia që fëmijët krijojnë me prindërit shërben si model për mënyrën se si do të ndërtojnë marrëdhëniet e tyre në të ardhmen. Nëse nuk kanë mundur të mbështeten te prindërit gjatë fëmijërisë, mund ta kenë të vështirë të besojnë se dikush tjetër do të jetë aty për ta kur të rriten.
Psikoterapistja Georgina Strumer shpjegon se kur kujdestarët emocionalë janë të paarritshëm ose të paparashikueshëm gjatë viteve të para të jetës, fëmijët mund të përjetojnë ndjenjën e refuzimit.
Kur refuzimi vjen nga njerëzit që supozohet të jenë burimi i parë i sigurisë, ai mund të ndikojë në mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet e mëvonshme. Si të rritur, këta njerëz mund të mbajnë një distancë emocionale nga të tjerët, duke shmangur lidhjet e thella me idenë se kështu do të vuajnë më pak nëse një ditë braktisen.
5. Analizojnë vazhdimisht emocionet e të tjerëve për të kuptuar çfarë pritet të ndodhë
Fëmijët që rriten me prindër emocionalisht të papjekur mund të mësohen të vëzhgojnë me kujdes çdo ndryshim në sjelljen dhe humorin e tyre. Kur prindërit shpërthejnë emocionalisht në momente të papritura, fëmijët fillojnë të analizojnë shprehjet e fytyrës, tonin e zërit dhe reagimet e tyre, me shpresën se do të shmangin një situatë të pakëndshme.
Me kalimin e kohës, kjo sjellje mund të shtrihet edhe në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë. Ata fillojnë të monitorojnë vazhdimisht emocionet e të tjerëve, duke u përpjekur të parashikojnë reagimet e tyre dhe të shmangin konfliktet.
Psikoterapistja Emily Mashburn shpjegon se kjo është një sjellje rraskapitëse, e cila mund të dëmtojë marrëdhëniet. Edhe pse në pamje të parë duket si një mënyrë për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur lëndimin, në të vërtetë i mban këta njerëz në një gjendje të vazhdueshme vigjilence emocionale.
6. Kujdesen për të gjithë të tjerët, por e vendosin veten gjithmonë në plan të dytë
Kur prindërit nuk janë në gjendje të përballojnë vetë nevojat e tyre emocionale, mund të ndodhë që rolet brenda familjes të përmbysen në mënyrë të pavetëdijshme. Fëmijët marrin përsipër përgjegjësi që normalisht u takojnë prindërve, duke u kthyer në mbështetjen emocionale të tyre.
Në psikologji, ky fenomen njihet si parentifikim: kur fëmija detyrohet të marrë rolin e kujdestarit të prindit, duke u përballur me përgjegjësi emocionale apo praktike që nuk i përkasin moshës së tij.
Një rishikim i literaturës shkencore i vitit 2025 arriti në përfundimin se fëmijët që detyrohen të kujdesen për prindërit mund të përballen me vështirësi të shëndetit mendor dhe, në disa raste, edhe me pasoja fizike.
Kur kjo mënyrë jetese bëhet e zakonshme, është e vështirë të ndryshohet edhe në moshë madhore. Këta njerëz vazhdojnë të jenë ata tek të cilët të gjithë mbështeten, ofrojnë ndihmë dhe kujdesen për nevojat e të tjerëve, edhe kur vetë janë të rraskapitur. Paradoksi është se, megjithëse janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë, rrallë kërkojnë të njëjtën gjë për veten, sepse janë mësuar të besojnë se duhet t’ia dalin gjithmonë vetëm.


