Katër punonjës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues.

Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), përmes një komunikate për media.


Sipas njoftimit, vendimi për suspendimin e katër punonjësve është marrë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së, pas parregullsive të evidentuara.

Çështja është diskutuar edhe në mbledhjen e tetë të Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të udhëhequr nga kryesuesi Dr. Faik Shatri.

Gjatë mbledhjes, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, ka njoftuar anëtarët e bordit për masat e para disiplinore të ndërmarra ndaj punonjësve të përfshirë në këtë rast.

Ndërkaq, Bordi Drejtues ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme që në çdo mbledhje të raportojë për ecurinë e procedurave disiplinore dhe veprimet e ndërmarra.

SHSKUK ka bërë të ditur se do të vazhdojë trajtimin e rasteve të tilla në përputhje me procedurat në fuqi, me qëllim të forcimit të përgjegjësisë institucionale në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues. /Telegrafi/