Fituesi i provimit për kontabilistë tatimorë në Korenë e Jugut pranon se mashtroi me inteligjencë artificiale
Kandidati që arriti rezultatin më të lartë në provimin kombëtar të Koresë së Jugut për kontabilistë tatimorë këtë vit ka pranuar se kishte mashtruar duke përdorur pajisje elektronike dhe inteligjencë artificiale gjeneruese.
Skandali shpërtheu pas disa muajsh dyshimesh, pasi kandidati kishte marrë rezultate pothuajse të përsosura në qindra pyetje gjatë dy provimeve të zhvilluara në prill dhe korrik.
Të dielën, ai pranoi publikisht mashtrimin, duke u identifikuar vetëm me mbiemrin Han, transmeton Telegrafi.
“Kam mashtruar duke përdorur pajisje elektronike dhe inteligjencë artificiale gjeneruese. Kalimi i provimit me rezultatin më të lartë nuk ishte rezultat i një përpjekjeje të ndershme”, deklaroi ai, duke kërkuar falje në kanalin YouTube “Attorney Lee Don-ho”.
Han shpjegoi se kishte përdorur një kamerë të vogël për të fotografuar pyetjet e provimit, të cilat më pas ia dërgonte një mjeti të inteligjencës artificiale. Përgjigjet i kontrollonte përmes telefonit të tij të mençur.
Në videon ku shfaqej me fytyrën e mbuluar me maskë, ai tha gjithashtu se kishte dorëzuar një deklaratë me shkrim në Policinë e Seulit, duke pranuar mashtrimin.
Skandali ka tronditur Korenë e Jugut, një vend ku provimet e standardizuara ndikojnë ndjeshëm në mundësitë për avancim shoqëror dhe në karrierën profesionale të qytetarëve.
Ngjarja ka shtuar shqetësimet vetëm katër ditë para provimit kombëtar të pranimit në universitet, i cili do të mbahet të enjten dhe konsiderohet një nga testimet më të rëndësishme për nxënësit në vend.
“Zyra presidenciale e konsideron këtë çështje shumë serioze dhe, meqë provimi i pranimit në universitet mbahet javën e ardhshme, po punojmë intensivisht për përgatitjen e masave kundër mashtrimit”, deklaroi të dielën një zyrtar i lartë i presidencës.
Ai tha se raportimet për mashtrim të mundshëm në provimin për kontabilistë të certifikuar janë shqetësuese. Sipas tij, shefi i stafit presidencial për politikat do të thërriste një takim urgjent gjatë pasdites për të trajtuar këtë çështje.
Edhe kryeministri Han Seok-sook kishte shprehur të premten shqetësimin për mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale për mashtrim në provimin kombëtar të pranimit në universitet.
Ky testim konsiderohet një ngjarje me presion të jashtëzakonshëm, për të cilën shumë nxënës në Korenë e Jugut përgatiten për pjesën më të madhe të jetës së tyre shkollore.
Në një deklaratë të zyrës së kryeministrit thuhej se qeveria do të përgatitej paraprakisht dhe do ta mbikëqyrte nga afër procesin deri në përfundim, për të garantuar që provimi të zhvillohej në mënyrë të drejtë dhe të rregullt. /Telegrafi/





























