Për shumë fëmijë në Kosovë, futbolli është një ëndërr. Për familjet e tyre, ndjekja e saj po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme. Krahas tarifës së shkollës së futbollit, prindërit përballen me shpenzime për stërvitje individuale, transport dhe pajisje sportive.
Kjo barrë ndikon edhe në vendimet për të ardhmen e fëmijëve. Disa e ndërpresin futbollin për shkak të kushteve ekonomike, të tjerë sepse luajnë pak, ndërsa një pjesë zgjedhin të ndjekin ëndrra të tjera.
Të lidhura
None found
Sa i kushton një familjeje futbolli i një fëmije?
Prindi SH.G., i intervistuar nga Telegrafi, e ka djalin 9-vjeçar në një shkollë futbolli në rajonin e Prishtinës. Trajnerët e konsiderojnë djalin talent, por, sipas të atit, shpenzimet për zhvillimin e tij shkojnë shumë përtej tarifës së regjistrimit.
Për tri stërvitje në javë në shkollën e futbollit, SH.G. paguan 50 euro në muaj. Për shkak se fëmijët janë të shumtë dhe trajnerët të paktë, ai ka vendosur që djali të ndjekë edhe dy stërvitje individuale në javë. Sipas tij, në stërvitjen e klubit mund të ndodhë që fëmija pothuajse të mos e prekë topin, ndaj seancat shtesë i duken të domosdoshme që djali të mos mbetet prapa.
Trajneri privat i kushton 100 euro në muaj. Për karburantin që i nevojitet për ta çuar djalin në stërvitje dhe ndeshje në rajonin e Prishtinës, SH.G. shpenzon edhe rreth 50 euro të tjera. Duke llogaritur pajisjet, turnetë dhe kostot përcjellëse, ai vlerëson se futbolli i djalit i kushton rreth 3,000 euro në vit.
Paga mesatare në Kosovë është rreth 650 euro. Kështu, një familjeje me një pagë dhe një fëmijë që luan futboll do t’i duhej të shpenzonte mbi 20 për qind të të ardhurave për këtë aktivitet.
Rritja e tarifave ndikoi edhe në zgjedhjet e familjes së P.S., i cili ka pasur dy djem në futboll. Për një periudhë, ai paguante nga 70 euro në muaj për secilin. Kur mësoi se shkolla ku stërviteshin do ta ngrinte tarifën në 100 euro për fëmijë, vendosi t’i largonte të dy.
Djali i madh, tani 14-vjeçar, nuk luan më futboll. Më i vogli vazhdon të stërvitet në një shkollë tjetër, ku pagesa është 50 euro në muaj. P.S. thotë se me dy fëmijë shpenzimi ishte i vështirë për t’u përballuar: vetëm tarifa e shkollës arrinte në 140 euro çdo muaj. Sipas një përllogaritjeje të tij, që kur djemtë nisën futbollin, ai ka shpenzuar rreth 15 mijë euro për të dy.
Pas më shumë se dhjetë vjetësh përvojë me shkollat e futbollit, P.S. ka vënë re se shumë fëmijë largohen nga ky sport, veçanërisht pas moshës 15 vjeçare. Ai thotë se klubet dhe shkollat e kanë të vështirë të gjejnë lojtarë nga mosha 15 vjet e lart dhe vlerëson se me këto mosha delikate punohet pak. Pamundësia ekonomike, humbja e interesit dhe ndjenja se trajtohen padrejtësisht janë, sipas tij, ndër arsyet e largimit.
Prindërit e intervistuar ngrenë edhe një shqetësim për mënyrën e pagesës: sipas tyre, tarifat shpesh paguhen në dorë, pa marrë kupon. Disa shkolla futbolli, megjithatë, i pranojnë pagesat edhe përmes bankës.
Tarifat e shkollave dhe kostoja e stërvitjeve individuale
Hulumtimi i Telegrafit në shkollat e futbollit ka evidentuar tarifa mujore nga 50 deri në 70 euro për fëmijë. Familjet që zgjedhin stërvitje individuale paguajnë edhe nga 15 deri në 25 euro për seancë. Një pjesë e fëmijëve ndjekin katër deri në tetë seanca të tilla në muaj, çka shton 60 deri në 200 euro në shpenzimet mujore.
Vetëm shkolla e futbollit dhe stërvitjet individuale mund t’i kushtojnë një familjeje nga 110 deri në 270 euro në muaj, ose nga 1,320 deri në 3,240 euro në vit. Në këto shifra nuk përfshihen transporti, pajisjet sportive, ushqimi, ndeshjet dhe turnetë.
Tarifat e gjetura gjatë hulumtimit nuk janë të njëjta për çdo shkollë futbolli në Kosovë. Megjithatë, ato tregojnë sa mund të rritet kostoja për një familje, sidomos kur fëmija ndjek edhe stërvitje shtesë.
Mbështetja përmes Ligjit për Sponsorizim
Përveç pagesave nga prindërit, shkollat e futbollit janë edhe ndër përfituesit e mbështetjes përmes Ligjit për Sponsorizim. Ky mekanizëm u jep bizneseve mundësinë të financojnë sportin dhe të përfitojnë lehtësime tatimore; ai përfshin edhe subjekte që organizojnë futboll për fëmijë.
Të dhënat e mbledhura nga Telegrafi tregojnë se sponsorizimet që shkojnë për shkollat e futbollit tejkalojnë 500 mijë euro në vit. Megjithatë, është e vështirë të përcaktohet saktësisht sa përfiton vetëm veprimtaria e shkollave. Disa subjekte funksionojnë njëkohësisht si klube dhe si shkolla futbolli, ndërsa përfitimet nga sponsorizimi paraqiten në emër të klubit.
Kur financimi regjistrohet në emër të subjektit sportiv, nuk mund të dallohet gjithmonë sa përdoret për ekipin e parë, sa për kategoritë e reja dhe sa për shkollën e futbollit. Një rast i identifikueshëm është Shkolla e Futbollit Pro Prishtina, e cila në vitin 2025 mori 50 mijë euro nga sponsorët përmes ligjit. Këto të dhëna janë siguruar nga Ministria e Sportit.
Për të kuptuar përfituesit, shumat dhe përdorimin e fondeve, nevojiten të dhëna më të hollësishme nga institucionet përgjegjëse. Mbetet gjithashtu pyetja nëse sponsorizimet ndihmojnë në uljen e tarifave për prindërit ose në krijimin e vendeve pa pagesë për fëmijët e familjeve në gjendje më të vështirë ekonomike.
Pesha e rajonit të Prishtinës në futbollin kosovar
Në mars, Kosova dhe FFK-ja mbushën dhjetë vjet nga anëtarësimi në UEFA dhe FIFA. Sipas kryetarit të federatës, Agim Ademit, janë 15,092 futbollistë, prej të cilëve 14,449 meshkuj dhe 643 femra. Po ashtu, janë 1693 trajnerë dhe 434 gjyqtarë. Të dhënat e siguruara nga Telegrafi tregojnë se në grupmoshat U19 e poshtë zhvillojnë aktivitet mbi 12 mijë fëmijë.
Një pjesë e madhe e këtij aktiviteti zhvillohet në rajonin e Prishtinës, i cili përfshin shtatë komuna: Prishtinën, Podujevën, Lipjanin, Drenasin, Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Graçanicën. Sipas të dhënave të siguruara nga rajoni, aty luajnë rreth 7,500 futbollistë dhe veprojnë 61 shkolla futbolli. Në rreth 30 deri në 40 fusha zhvillohen afërsisht 120 deri në 130 ndeshje gjatë një jave.
Megjithëse Kosova është e ndarë në shtatë rajone, vlerësimet e mbledhura gjatë hulumtimit tregojnë se rajoni i Prishtinës përfaqëson rreth 35 deri në 40 për qind të futbollit në vend. Kontributi i shkollave, klubeve dhe trajnerëve të tij shihet edhe te futbollistët që ftohen në ekipet kombëtare të Kosovës në grupmosha të ndryshme. Puna në këto struktura vlerësohet si pjesë e rëndësishme e zhvillimit të talenteve dhe e së ardhmes së futbollit kosovar.
Krahas këtij aktiviteti, mbetet çështja nëse çdo fëmijë ka mundësi të barabarta të jetë pjesë e tij, apo nëse gjendja financiare e familjes përcakton vazhdimësinë në futboll. Përmes programit Grassroots, FFK-ja është përpjekur ta hapë këtë sport edhe për fëmijët që, për arsye të ndryshme, nuk mund të regjistrohen në shkolla futbolli. Projektet e futbollit bazë kanë përfshirë rreth 8,000 fëmijë, me synimin që futbolli të jetë i qasshëm për të gjithë.
SC Gjilani liron disa fëmijë nga pagesat
Pothuajse të gjitha shkollat e futbollit kanë një numër të caktuar fëmijësh që nuk paguajnë, megjithëse ky numër mbetet i vogël. Kjo do të thotë se tarifa mujore nuk është në çdo rast kusht i domosdoshëm për pjesëmarrje.
Menaxheri i SC Gjilanit, Drilon Sylejmani, thotë se shkolla e tyre ka liruar plotësisht nga pagesat disa fëmijë, kryesisht për shkak të vështirësive ekonomike të familjeve. Sipas tij, kur një fëmijë ka potencial për t’u bërë futbollist, stafi i jep kohë dhe hapësirë për ta treguar atë, edhe nëse familja nuk mund ta përballojë tarifën.
Sylejmani thotë gjithashtu se familjeve me më shumë se një fëmijë në shkollë u ofrohet zbritje nga pagesa mujore, ndërsa fëmijët që nuk i kanë prindërit lirohen nga tarifa. Ai thekson se synimi kryesor i shkollës është edukimi dhe kultura sportive e nxënësve, e më pas zhvillimi i tyre si futbollistë, jo mbledhja e pagesave në fund të muajit.
Rasti i SC Gjilanit tregon se ka mënyra për të mbështetur fëmijët që nuk kanë mundësi ekonomike, në mënyrë që dëshira dhe talenti për futboll të mos varen vetëm nga gjendja financiare e familjes.
Disa emra janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e bashkëbiseduesve. Meqë fëmijët e tyre vazhdojnë aktivitetin në futboll dhe prindërit druhen se shkollat mund t’i largojnë, ata kanë zgjedhur të flasin me iniciale.






