“Qurravitet” Vuçiç: Nuk hyj dot në Kosovë pa lejen e Albin Kurtit
Aleksandar Vuçiç, ka ngritur akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me lejimin e hyrjes në territorin e Kosovës. Sipas pretendimeve të tij, prej vitesh i mohohet mundësia për të vizituar Kosovën, madje edhe në cilësinë e një qytetari privat, ndërsa e njëjta pengesë, sipas tij, u është vendosur edhe familjarëve të tij.
Deklaratat u bënë gjatë një interviste për emisionin televiziv “Nacionalni Magazin”, ku Vuçiç komentoi vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore në Kosovë dhe takimin e tyre me peshkopin Teodosije në Graçanicë.
Ish-presidenti serb vuri në pikëpyetje kriteret mbi të cilat ishte lejuar hyrja e përfaqësuesve të kësaj liste, duke pretenduar se ekziston një trajtim i ndryshëm në raport me kërkesat për të hyrë në territorin e Kosovës.
“Unë prej vitesh nuk mund të hyj në Kosovë. As si qytetar, madje as ndonjë anëtar i familjes sime nuk mund të vijë privatisht, sepse Albin Kurti nuk e lejon këtë. Ndërsa atyre ua lejon”, deklaroi Vuçiç.
Gjatë intervistës, ai u ndal edhe te qëndrimet e përfaqësuesve të Listës Studentore, të cilët fillimisht kishin deklaruar se udhëtimi në Kosovë nuk ishte zhvilluar në cilësinë e përfaqësuesve politikë.
Megjithatë, sipas Vuçiçit, në një komunikatë të publikuar më vonë ishte bërë e ditur se peshkopi Teodosije i kishte pritur në Graçanicë pikërisht si përfaqësues të Listës Studentore.
Ky ndryshim në mënyrën e prezantimit të vizitës u përdor nga presidenti serb për të vënë në diskutim arsyet e lejimit të hyrjes së tyre në Kosovë, në një kohë kur ai pretendon se vetë dhe familjarët e tij nuk e kanë këtë mundësi.
Deklaratat e Vuçiçit rikthejnë në vëmendje debatet mes Beogradit dhe Prishtinës për lëvizjen e zyrtarëve, përfaqësuesve politikë dhe qytetarëve në territorin e Kosovës, një çështje që vijon të jetë pjesë e tensioneve në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



