Dy persona janë arrestuar dhe 9 të tjerë janë vënë nën hetim për sulmet me vezë e sende të forta ndaj eskortës së kryeministrit Edi Rama ndërsa udhëtonte dje drejt Gjirit të Lalzit për Asamblenë e PS.
Të arrestuarit janë: Edison Lika dhe Albi Dema. Ngjarja ndodhi në fshatin Kameras, ku grupi i protestuesve thirri “Rama në burg, Berisha në burg” ndërsa gjuanin eskortën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: E. L., 28 vjeç, dhe A. D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Gjithashtu, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: E. P., 33 vjeçe, D. G., 50 vjeç, O. D., 34 vjeç, M. C., 28 vjeçe, L. A., 24 vjeçe, I. R., 31 vjeç, N. S., 23 vjeçe, J. S., 25 vjeçe, të tetë banues në Tiranë, si dhe I. Ll., 27 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Këta shtetas, më datë 14.11.2026, rreth orës 10:00, në fshatin Kameras, në aksin rrugor Maminas–Gjiri i Lalzit, kanë tentuar të bllokojnë rrugën dhe kanë hedhur vezë dhe sende të forta në drejtim të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore.”- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.













