“Duhanpirja rrit rrezikun e demencës, sa më shumë cigare të konsumoni, aq më i lartë rreziku”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.11.2026, 15:44

Një studim i ri shkencor, ku u analizuan të dhënat e rreth 2.8 milionë personave, ka zbuluar se duhanpirja lidhet me një rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës, sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës vaskulare. Sipas studiuesve, rreziku rritet në varësi të numrit të cigareve të konsumuara çdo ditë.

Studimi, i udhëhequr nga studiues të Universitetit Curtin në Australi dhe i publikuar në revistën shkencore “eClinicalMedicine”, tregon se personat që pinë duhan kanë 31% më shumë gjasa të zhvillojnë demencë, krahasuar me ata që nuk kanë pirë kurrë duhan.

Rreziku rezulton edhe më i lartë për disa forma të sëmundjes: 40% për Alzheimerin dhe 52% për demencën vaskulare.

Studiuesit vunë re gjithashtu një lidhje mes numrit të cigareve të konsumuara në ditë dhe rrezikut për zhvillimin e demencës. Personat që pinë 10 cigare në ditë kanë 16% më shumë rrezik, ndërsa te ata që konsumojnë 20 cigare në ditë, kjo shifër arrin në 34%, krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan.

Drejtuesi i studimit, Mario Serfo, theksoi se këto rezultate tregojnë rëndësinë e vëmendjes ndaj ndikimit të duhanpirjes në shëndetin e trurit, përveç pasojave të njohura që ajo ka në zemër, mushkëri dhe rritjen e rrezikut për kancer.

Sipas tij, lidhja mes duhanpirjes dhe demencës bëhet më e fortë sa më shumë cigare të konsumojë një person.

Lënia e duhanit mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për demencë

Një tjetër gjetje e rëndësishme e studimit lidhet me personat që e kanë lënë duhanin. Sipas rezultateve, ata nuk paraqesin rrezik më të lartë për demencë krahasuar me personat që nuk kanë pirë kurrë duhan, ndërsa rreziku i tyre është më i ulët se ai i personave që vazhdojnë të pinë duhan.

Megjithatë, studiuesit sqarojnë se rezultatet nuk provojnë një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë mes duhanpirjes dhe demencës. Ato i shtohen evidencave shkencore që sugjerojnë se lënia e duhanit mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për zhvillimin e kësaj sëmundjeje.

Studiuesit theksuan gjithashtu nevojën për zgjerimin e fushatave kundër duhanit, në mënyrë që ato të ndërgjegjësojnë qytetarët jo vetëm për dëmet në zemër dhe mushkëri, por edhe për ndikimin në funksionet e trurit dhe aftësitë njohëse.

Ata rekomandojnë që paralajmërimet për rrezikun ndaj shëndetit të trurit të përfshihen edhe në paketat e cigareve, si dhe në programet që ndihmojnë njerëzit të lënë duhanin.

Në përfundim, studiuesit nënvizojnë nevojën për kërkime të mëtejshme për të kuptuar nëse mosha në të cilën një person e lë duhanin dhe kohëzgjatja e periudhës pa duhan ndikojnë në uljen e rrezikut për demencë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit