NATO nuk do të zhvillojë samitin e liderëve në Shqipëri gjatë vitit 2027, siç ishte parashikuar më herët. Aleanca po rishikon kalendarin e takimeve të nivelit të lartë, në një periudhë tensionesh mes vendeve anëtare për shpenzimet e mbrojtjes, luftën në Iran dhe konfliktin në Ukrainë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për datën e zhvillimit të samitit, duke bërë të qartë se ai nuk do të mbahet vitin e ardhshëm.
“Nuk ka ende një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti, por me siguri jo në vitin 2027. Në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e minimizoi rëndësinë e shtyrjes, duke theksuar se aleanca ka fleksibilitet në organizimin e takimeve të nivelit të lartë.
“Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. I zhvillojmë ato kur kemi nevojë”, deklaroi Rutte në një intervistë për Associated Press, duke shtuar se samiti i ardhshëm do të mbahet kur të jetë i nevojshëm.
Vendimi për të mos zhvilluar samitin në Shqipëri është pjesë e një riorganizimi më të gjerë të takimeve të NATO-s, përcjell Newsmax.
Deri rreth një dekadë më parë, aleanca zhvillonte samite çdo dy vjet.
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare zakonisht takohen në tetor, por muajin e kaluar nuk u zhvillua asnjë takim dhe nuk është planifikuar një i tillë as për tetorin e vitit 2027.
Edhe takimet e ministrave të Jashtëm do të reduktohen. Vitin e ardhshëm është parashikuar vetëm një takim i tillë, në vend të dy takimeve që zhvilloheshin zakonisht. NATO e ka përfshirë këtë ndryshim në atë që e quan paketë riorganizimi.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë munguar në disa takime të NATO-s ose janë larguar përpara përfundimit të diskutimeve që prej marrjes së detyrës. Hegseth ka përdorur takimet ministrore për të kritikuar dhe ushtruar presion ndaj aleatëve evropianë dhe Kanadasë për angazhimet e tyre në mbrojtje.
Shtyrja e samitit në Shqipëri nxjerr në pah edhe sfidat brenda aleancës. Shqipëria ishte përcaktuar si vendi pritës për vitin 2027 në vitin 2025, por emri i saj u hoq nga deklarata e samitit të korrikut.
Sipas raportimit të Associated Press, disa vende anëtare kanë shprehur shqetësime se Shqipëria nuk po shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen dhe kanë hezituar ta shpërblejnë vendin me organizimin e aktivitetit më të rëndësishëm të aleancës.
Qeveria shqiptare parashikohet të shpenzojë këtë vit 2.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
Ndërkohë, objektivi i NATO-s është që 32 vendet anëtare të shpenzojnë deri në vitin 2035 të paktën 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë dhe 1.5% të tjera për infrastrukturën e lidhur me mbrojtjen.
Megjithatë, Shqipëria nuk është vendi me performancën më të dobët në këtë drejtim. Spanja, Belgjika dhe Sllovenia janë më larg përmbushjes së objektivave të përcaktuara.
Përveç çështjeve politike dhe ushtarake, organizimi i një samiti të NATO-s kërkon shpenzime të konsiderueshme dhe përgatitje të gjata.
Për samitin e vitit 2025 në Hagë, Holanda iu desh të përgatitej për rreth një vit dhe të investonte afërsisht 100 milionë dollarë.
Sipas zyrtarëve, NATO-s do t’i duhej të merrte një vendim për Shqipërinë deri në tetor, në mënyrë që vendi të kishte kohën e nevojshme për organizimin e samitit gjatë vitit 2027.
Edhe samiti i këtij viti në Turqi kërkoi angazhim të madh logjistik dhe sigurie. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vuri në dispozicion kompleksin e tij të madh presidencial në Ankara, ndërsa u rikonstruktua një aeroport ushtarak për mbërritjen e liderëve dhe u angazhuan dhjetëra mijëra punonjës të sigurisë. Një pjesë e punonjësve publikë jo të domosdoshëm u lanë pushim për një javë.
“Gjithmonë kërkohet një nivel i lartë sigurie. Është një aktivitet i kushtueshëm organizimi i një takimi me 32 vende anëtare, vendet partnere dhe partnerët e Indo-Paqësorit, si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re”, tha Rutte për Associated Press.
I pyetur nëse ia vlen gjithë ky angazhim, ai u përgjigj: “Po.”
Samiti në Ankara u shoqërua gjithashtu me tensione politike. Përpara takimit me liderët e tjerë, presidenti amerikan Donald Trump riktheu pretendimet për marrjen nën kontroll të Groenlandës, territor autonom i Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s.
Trump kërkoi gjithashtu “besnikëri” nga aleatët, duke i akuzuar se nuk e kishin mbështetur luftën e tij kundër Iranit.
Samitet e NATO-s zakonisht shërbejnë për të demonstruar unitetin dhe vendosmërinë e vendeve anëtare përballë kërcënimeve të mundshme. Aleatët evropianë dyshojnë se Rusia mund të testojë vendosmërinë e aleancës.
Gjatë samitit në Ankara, Rutte organizoi edhe një prezantim të madh të industrisë së mbrojtjes, me synimin për t’i treguar Trumpit se vendet aleate po rrisin shpenzimet ushtarake.
Megjithatë, disa ekspertë vlerësojnë se objektivat e reja të shpenzimeve dhe kapaciteteve ushtarake, si dhe diskutimet për planifikimin e forcave, mund të kenë përmbushur për momentin nevojën për një takim tjetër të nivelit të lartë.
David Cattler, studiues i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane dhe ish-zyrtar i lartë i inteligjencës së NATO-s, u shpreh se nëse nuk ka çështje që kërkojnë mbledhjen e 32 liderëve, atëherë mund të mos ketë arsye për organizimin e një samiti.
“Mund të kalojnë dy, madje edhe tre vjet”, deklaroi ai.
Në rast emergjencash, NATO ka edhe mundësi të tjera për të mbledhur drejtuesit e saj.
Në shkurt të vitit 2022, pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, aleanca zhvilloi për herë të parë një samit virtual.
