Historia e përballjeve, FIFA, por edhe koeficientët referojnë se kuqezinjtë janë sot favoritë në përballjen e fundit të grupit të Ligës së Kombeve kundër Bjellorusisë.

Kombëtarja e nis këtë përballje si vend i parë me 12 pikë, 2 më shumë se Bjellorusia, ndërsa i mjafton edhe 1 barazim për të mbrojtur pozicionin. Megjithatë, si të mos mjaftonte fakti se humbja e vetme e Bjellorusisë në Ligën e Kombeve është kundër Shqipërisë, ka edhe disa detaje të tjera që i bëjnë kuqezinjtë favoritë.

Në të kaluarën dhe Bjellorusia dhe Shqipëria janë përballur 8 herë. 2 janë fitore të rivalëve, 2 ndeshje kanë përfunduar barazim, ndërsa 4 janë suksese të Kombëtares. Kuqezinjtë kanë edhe renditje më të mirë aktuale në FIFA. Në përditësimin e fundit të bërë në muajin tetor Shqipëria renditet e 66, ndërsa Bjellorusia e 94. 28 vende poshtë kuqezinjve.

Sakaq për duelin që nis në orën 18:00 fitorja e Bjellorusisë kuotohet me 4.2, ndërsa suksesi i Shqipërisë 1.95. Barazimi ka koeficientin 3.2.

Për të gjykuar duelin UEFA ka zgjedhur arbitra nga Kroacia me kryesor Igor Pajac.