Kur protesta ishte qytetare, paqësore dhe shumë masive, qeveria nuk iku. “Ju rrini në rrugë, unë në zyrë”, tha kryeministri.
Protesta e “Flamingove” u tkurr, gati në shuarje, pas tre muajsh!
Kur protesta u bë e dhunshme, qeveria jo vetëm nuk iku, por iu përgjigj me dhunë. Kryeministri tha: “Bëni protesta paqësore, por mos digjni e shkatërroni”.
Edhe protesta e dhunshme është tkurrur dhe po shkon drejt shuarjes!
Protesta e “Flamingove” ishte një energji e jashtëzakonshme qytetare, e cila shkoi pjesërisht dëm.
Unë kam qenë ndër ata që kanë këmbëngulur vazhdimisht se protesta duhet të “prodhojë politikë” që të ketë sukses. Njerëzit që dalin në rrugë dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë janë një gjë, por të prodhosh politikë, ide dhe vizion është diçka krejt tjetër.
Kjo nuk ndodhi!
Kjo nuk po ndodh!
Protesta e dhunshme është më komode për qeverinë. I kushtoi blerjen e makinave të reja ujëhedhëse dhe para për të shpërblyer policët që shtypën protestat, por paratë, gjithsesi, ishin tonat. Po ashtu, nuk e shqetësojnë as thyerja e semaforëve dhe as shkatërrimi i billboardeve.
Që një protestë të rrëzojë një qeveri, duhet ose shumë forcë, ose një kombinim i forcës me mendimin. Unë mendoj se kjo e dyta është më produktive.
Ndaj, sërish mendoj se protesta është në kohë të prodhojë mendim dhe politikë. Të prodhojë ide, alternativa zgjidhjeje, jo vetëm akuza dhe lajm për mediat e huaja, përmes zjarrit.
Protesta duhet “hapet”, të ftojë njerëz që të rrisin profilin intelektual dhe politik të saj. Rruga, sheshi dhe revolta qytetare nuk kanë pronarë, siç po sillen disa aktorë partiakë dhe jo partiakë.
Ndryshe, mos i shkulni kot edhe hekurat e fundit të trotuareve që kanë mbetur.










Komente
Komento