Ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë, pjesë e Paketës Fiskale 2027, rikthen shqetësimin e biznesit të vogël për kostot shtesë që sjell kjo skemë. Ekspertët paralajmërojnë se barra administrative dhe financiare mund të tejkalojë përfitimet në luftën kundër informalitetit, ndërsa 12 dhoma tregtie dhe shoqata biznesi kanë kundërshtuar ndryshimet e propozuara. Pikëpyetje mbeten edhe për mënyrën se si do të trajtohen bizneset që e kanë kaluar pragun e ri gjatë vitit 2026.
Syri tv
Propozimi i Paketës Fiskale 2027 për uljen e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë ka rikthyer shqetësimet e biznesit të vogël dhe ekspertëve fiskalë mbi kostot administrative dhe financiare që sjell kjo masë, të cilat mund të tejkalojnë përfitimet e pritshme në luftën kundër informalitetit. Në afro tri dekada ekonomi tregu, pragu i TVSH-së ka ndryshuar shtatë herë. Nga 2 milionë lekë në vitin 1996, ai është rishikuar disa herë, për të arritur në 10 milionë lekë nga 1 janari 2021. Një nga ndryshimet më të debatueshme ishte ai i vitit 2018, kur pragu u ul nga 5 në 2 milionë lekë. Vendimi shkaktoi protesta të biznesit të vogël, veçanërisht në Tiranë, ku një pjesë e tregtarëve mbyllën përkohësisht dyqanet në shenjë kundërshtimi. Bizneset argumentuan se kostot shtesë të administrimit të TVSH-së ishin të papërballueshme, ndërsa qeveria e justifikoi masën me nevojën për të luftuar evazionin fiskal. Pas dy vitesh, skema u korrigjua sërish, duke e çuar pragun në 10 milionë lekë nga fillimi i vitit 2021.
Pas pesë vitesh, biznesi i vogël përballet me një tjetër ndryshim të propozuar. Paketa e re parashikon uljen e pragut në 5 milionë lekë, duke përfshirë edhe profesionistët e lirë. Sipas relacionit të projektit, masa mbështetet në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ndërsa Ministria e Financave vlerëson se në skemë do të përfshihen rreth 17,500 biznese. Ekspertët kundërshtojnë këtë ndryshim, duke paralajmëruar se kostot e përmbushjes së detyrimeve fiskale mund të jenë më të larta se përfitimet në drejtim të formalizimit të ekonomisë. Sipas “ Monitor”, një tjetër çështje e debatueshme lidhet me zbatimin në kohë të pragut të ri.
Konkretisht, mbetet e paqartë nëse në skemën e TVSH-së do të përfshihen automatikisht edhe bizneset që kanë realizuar mbi 5 milionë lekë xhiro gjatë vitit 2026, kur pragu ligjor ishte 10 milionë lekë, apo do të merret në konsideratë vetëm qarkullimi nga 1 janari 2027. Sipas ekspertëve, mungesa e një dispozite të qartë kalimtare dhe e procedurave të përcaktuara krijon pasiguri juridike dhe hapësira për interpretime të ndryshme në zbatimin e ligjit. Kritikat lidhen gjithashtu me mungesën e konsultimit paraprak me komunitetin e biznesit dhe të një vlerësimi të plotë të ndikimit ekonomik të masave. Propozimi ka nxitur reagimin e dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit, ku rreth 12 prej tyre kanë shprehur kundërshtimin ndaj ndryshimeve. Në këtë situatë, mbetet për t'u parë nëse qeveria do të marrë parasysh shqetësimet e biznesit përpara miratimit përfundimtar të Paketës Fiskale 2027.
© SYRI.net