Tentativa për sabotim ndaj kompanisë së dronëve, Estonia mbyll kufirin me Rusinë

Estonia ka vendosur të mbyllë të gjitha pikat e kalimit kufitar rrugor me Rusinë, duke nisur nga 1 dhjetori, pas zbulimit të një tentative sabotimi ndaj kompanisë së mbrojtjes Threod Systems, e cila prodhon dronë.
Autoritetet estoneze akuzojnë shërbimin rus të inteligjencës ushtarake, GRU, se ka urdhëruar organizimin e sulmit.
Sipas Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë, objektivi i dyshuar ishte shkaktimi i një shpërthimi dhe vënia e zjarrit në ndërtesën e kompanisë.
Autoritetet bëjnë me dije se personat e dyshuar janë identifikuar dhe arrestuar në një kohë të shkurtër. Gjithashtu, shërbimi i sigurisë paralajmëroi qytetarët që të mos pranojnë oferta të tilla pune nga Rusia, duke theksuar se pasojat mund të jenë serioze.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, konfirmoi se masa për mbylljen e pikave kufitare do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor. Në një reagim, ai theksoi se Rusia duhet të kuptojë se veprimet armiqësore kundër Estonisë do të kenë pasoja.
“Mbyllja e kalimeve kufitare do të zvogëlojë aftësinë e Rusisë për të kryer aktivitete armiqësore në Estoni dhe do të forcojë përpjekjet tona për të parandaluar anashkalimin e sanksioneve”, tha ai.




