Finiq, banorët jetojnë me prodhimin e ullirit, 10 mijë rrënjë janë mbjellë gjatë dekadave të fundit
Fshati Kodër është në juridiksionin administrativ të Bashkisë së Finiqit dhe të njësisë administrative Livadhja. Ndodhet në krahun e majtë të rrugës kombëtare Krane Qafë Botë, 3 kilometra larg saj dhe vetëm 12,5 kilometra larg qytetit të Sarandës.
Ka një lartësi vetëm 290 metra nga niveli i detit dhe ka një klimë optimale për kultivimin e kulturës së ullirit. Gjatë 2-3 dekadave të fundit banorët e Kodrës kanë dyfishuar numrin e rrënjëve të ullirit duke i çuar në 10 mijë.
Nga 1000 banorë të regjistruar vetëm 100 prej tyre janë me banim të përhershëm në fshat, por emigrantët kthehen për vjeljen e ullirit.
“Fshati ka dy djem që kanë fabrikat e vajit në fshatin e Livadhjas. Prodhimin e tyre e çojnë atje. Prodhimi është i mbarë. Njerëzit marrin prodhimin e parë. Vazhdojnë me këtë punë.“, sqaron një banor i fshatit.
“Ka interes nga emigrantët. Nuk ka familje pa ullinj të mbjella në këto vitet e fundit. Ka ca familje që kanë mbjellë sasi të mëdha. Po janë pak ata. Kurse të tjerë sigurojnë vajin e ullirit për familjen. Prodhimi është i kënaqshëm sivjet. Po është puna kush i mbledh? S’ka kush mbledh.”, thekson banori i fshatit Kodër.
“Vijnë dhe i mbledhin. Po marrim edhe të tjerë që na ndihmojnë. Po tani sivjet marrin më shumë para. Nuk i paguajnë dot fshatarët. E sigurojmë vetë vajin e ullirit.”, thotë një banore e fshatit.
Gjithashtu, banorët e Kodrës kanë mungesa të theksuara në infrastrukturë, si në atë rrugore, si në ujin e pijshëm, ashtu dhe me ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




