Vendosni fjalën kyçe....

Si u kthye Aldrich Ames në agjentin e dyfishtë më të dëmshëm në historinë e SHBA-së


Aldrich Ames kaloi gati një dekadë duke i shitur Bashkimit Sovjetik informacione sekrete, duke kompromentuar më shumë se 100 operacione klandestine dhe duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 agjentëve të shërbimeve perëndimore të inteligjencës.

Më 28 prill 1994, agjenti i dyfishtë u dënua me burgim të përjetshëm. Në shkurt të po atij viti, BBC-ja intervistoi një prej spiunëve të tradhtuar nga Ames, i cili megjithatë kishte arritur të mbijetonte për të treguar historinë e tij.

Në vitin 1985, agjentët sovjetikë që punonin për CIA-n nisën të zhdukeshin papritur. Njëri pas tjetrit, këta burime perëndimore të inteligjencës kapeshin nga shërbimi sekret sovjetik, KGB-ja, merreshin në pyetje dhe, shumë shpesh, ekzekutoheshin.

Oleg Gordievsky ishte një prej këtyre agjentëve të dyfishtë. Si shef i rezidenturës së KGB-së në Londër, ai kishte bashkëpunuar fshehurazi për vite me radhë me shërbimin e inteligjencës së jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, MI6.

Por një ditë e gjeti veten në Moskë, i droguar, i rraskapitur pas pesë orësh marrje në pyetje dhe përballë mundësisë shumë reale për t’u pushkatuar. Gordievsky shpëtoi për pak me jetën, pasi MI6 e nxori kontrabandë nga Bashkimi Sovjetik, të fshehur në bagazhin e një makine.

Më pas, Gordievsky u përpoq të kuptonte se kush e kishte tradhtuar. «Për gati nëntë vjet kam hamendësuar se kush ishte njeriu, kush ishte burimi që më tradhtoi, por nuk kam ditur kurrë përgjigjen», i tha ai gazetarit të BBC-së, Tom Mangold, në një intervistë për emisionin Newsnight, më 28 shkurt 1994.

Dy muaj më vonë, Gordievsky do ta merrte përgjigjen, kur veterani i CIA-s, Aldrich Ames, u ngrit në këmbë në një sallë gjyqi në SHBA dhe pranoi se kishte kompromentuar «praktikisht të gjithë agjentët sovjetikë të CIA-s dhe të shërbimeve të tjera amerikane dhe të huaja, për të cilët kisha dijeni».

Më 28 prill 1994, Ames pranoi se kishte zbuluar identitetet e më shumë se 30 agjentëve që spiunonin për Perëndimin dhe kishte kompromentuar mbi 100 operacione klandestine.

I njohur nga KGB-ja me emrin e koduar Kolokol (Këmbana), tradhtia e Ames kishte çuar në ekzekutimin e të paktën 10 agjentëve të CIA-s, përfshirë gjeneralin Dmitri Polyakov, një zyrtar i lartë i inteligjencës ushtarake sovjetike, i cili kishte furnizuar Perëndimin me informacione për më shumë se 20 vjet. Ames, spiuni i KGB-së që shkaktoi dëmin më të madh në historinë e SHBA-së, u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.

Ashtu si zbulimi në vitet 1960 se spiuni britanik Kim Philby ishte agjent sovjetik kishte tronditur establishmentin e Mbretërisë së Bashkuar, në vitin 1994, siç tha Mangold, «radha i kishte ardhur Uashingtonit të shihte me mosbesim përmasat e dëmit të shkaktuar nga Ames».

Ai pendohet që u kap, por nuk pendohet që ishte spiun – Leslie G. Wiser

Ishte pikërisht pozicioni i Ames si drejtues i departamentit të kundërzbulimit sovjetik të CIA-s që i kishte mundësuar të shkaktonte një dëm kaq të madh. Ky rol i jepte atij qasje pothuajse të pakufizuar në informacione të klasifikuara për operacionet e fshehta të SHBA-së kundër Bashkimit Sovjetik dhe, ç’është më e rëndësishmja, për identitetet e agjentëve amerikanë në terren. Pozicioni i tij i mundësonte gjithashtu të merrte pjesë në seancat e marrjes në pyetje dhe informimit të agjentëve të zhvilluara nga shërbime të tjera perëndimore të inteligjencës.

Aldrich Ames e la kolegjin përgjysmë, por babai i tij, një analist i CIA-s, e ndihmoi të punësohej në Agjenci

Pikërisht në këtë mënyrë ai ra në kontakt me spiunin më të vlefshëm të Mbretërisë së Bashkuar, Gordievskyn, një kolonel i KGB-së që u përcillte informacione jetike dy shërbimeve britanike, MI6 dhe MI5. Këto takime krijuan një situatë të pazakontë, në të cilën «dezertori më i rëndësishëm i KGB-së merrej në pyetje nga spiuni më i rëndësishëm i KGB-së», siç u shpreh Mangold.

«Amerikanët ishin shumë të përpiktë dhe vërtet shumë të zotë në zhvillimin e seancave të informimit», tha Gordievsky. «Isha entuziast. Më pëlqenin amerikanët. Doja të ndaja me ta gjithçka që dija, por tani e kuptoj se [Ames] ishte ulur aty. Kjo do të thotë se të gjitha përgjigjet e reja, të gjitha informacionet që u dhashë, ai duhet t’ia ketë përcjellë KGB-së».

Alkooli dhe divorci

Ames ishte njohur me botën e spiunazhit që në moshë të re. Babai i tij ishte analist në CIA dhe e ndihmoi të birin të siguronte një vend pune në këtë agjenci, pasi ai kishte braktisur studimet universitare. Megjithatë, vendimi i mëvonshëm i Ames për të tradhtuar shërbimin e inteligjencës u nxit më pak nga bindjet ideologjike dhe më shumë nga nevoja për para.

Fillimisht, Ames tregoi aftësi premtuese si oficer i kundërzbulimit. Në fund të viteve 1960, ai u dërgua për herë të parë në Turqi, së bashku me bashkëshorten e tij, Nancy Segebarth, e cila ishte gjithashtu agjente e CIA-s. Atje, detyra e tij ishte të rekrutonte agjentë të huaj. Por në vitin 1972, eprorët e kthyen Amesin në selinë qendrore të CIA-s, pasi mendonin se ai nuk ishte i përshtatshëm për punë në terren. Pas kthimit në SHBA, ai studioi rusisht dhe u caktua të planifikonte operacione në terren kundër zyrtarëve sovjetikë.

Problemet e babait të tij me alkoolin kishin penguar përparimin e karrierës së tij në CIA dhe, në mënyrë të ngjashme, edhe pirja e tepruar e alkoolit nga vetë Ames nisi të dëmtonte karrierën e tij. Në vitin 1972, një agjent tjetër e zbuloi në gjendje të dehur dhe në një situatë komprometuese me një punonjëse të CIA-s. Situata u përkeqësua edhe nga qëndrimi i tij neglizhent ndaj punës, i cili bëri që në vitin 1976 të harronte në një tren të metrosë një çantë pune plot me informacione të klasifikuara.

Në përpjekje për ta vënë sërish karrierën në rrugën e duhur, Ames pranoi një caktim të dytë jashtë vendit, në Mexico City, në vitin 1981, ndërsa bashkëshortja e tij qëndroi në shtëpi, në Nju Jork. Por sjellja e tij dhe vazhdimi i pirjes së tepruar të alkoolit bënë që ai të mos shquhej si oficer i CIA-s.

Në vitin 1981, ai u përfshi në një aksident automobilistik në Mexico City dhe ishte aq i dehur, saqë nuk arrinte t’u përgjigjej pyetjeve të policisë dhe as të njihte një zyrtar të ambasadës amerikane që kishte shkuar për ta ndihmuar. Pas një debati veçanërisht të ashpër, të shoqëruar me fyerje dhe sharje, me një zyrtar kuban gjatë një pritjeje diplomatike në ambasadë, eprori i tij rekomandoi që, pas kthimit në SHBA, CIA ta vlerësonte për varësi nga alkooli.

Ames vazhdoi gjithashtu të kishte marrëdhënie jashtëmartesore, njëra prej të cilave do të rezultonte një pikë kthese në jetën e tij. Nga fundi i vitit 1982, ai nisi një lidhje me Maria del Rosario Casas Dupuy, një atashe kulturore kolumbiane, të cilën CIA e kishte rekrutuar për të punuar për agjencinë. Marrëdhënia e tyre u bë gjithnjë e më serioze, derisa Ames vendosi të divorcohej nga bashkëshortja e parë, të martohej me Rosarion dhe ta merrte me vete në SHBA.

Ames është zyrtari i CIA-s me gradën më të lartë që është zbuluar ndonjëherë si agjent i dyfishtë

Pavarësisht performancës së tij jo të mirë në CIA, Ames vazhdoi të ngjiste shkallët e karrierës. Pas kthimit në selinë qendrore të agjencisë në vitin 1983, ai u emërua shef i degës së kundërzbulimit për operacionet sovjetike, një pozicion që i jepte qasje të gjerë në informacione mbi veprimtarinë klandestine të CIA-s.

Si pjesë e marrëveshjes së divorcit me Nancy-n, Ames kishte pranuar të shlyente borxhet që kishin krijuar së bashku si çift, si dhe t’i paguante asaj mbështetje financiare mujore. Këto detyrime, të kombinuara me shijet e kushtueshme të bashkëshortes së tij të re, Rosarios, pasionin e saj për blerjet e shpeshta dhe telefonatat e shumta me familjen në Kolumbi, bënë që problemet financiare të Amesit të dilnin jashtë kontrollit. Më vonë, ai do t’i thoshte senatorit të Arizonës, Dennis DeConcini, se ishin pikërisht borxhet gjithnjë e në rritje ato që e kishin shtyrë të mendonte për shitjen e sekreteve ku kishte qasje.

«Ndihesha nën një presion të madh financiar, ndaj të cilit, po ta shoh tani në retrospektivë, reagova qartësisht në mënyrë të tepruar», tha Ames.

Tradhtia ndaj vendit të tij

«Gjithçka kishte të bënte me paratë dhe nuk mendoj se ai u përpoq ndonjëherë t’i bënte të tjerët të besonin se motivet e tij ishin diçka më shumë se kaq», i tha agjenti i FBI-së, Leslie G. Wiser, i cili mori pjesë në hetimin që çoi në arrestimin e Amesit, emisionit Witness History të BBC-së në vitin 2015.

Më 16 prill 1985, pasi kishte pirë disa gota alkool për të marrë guximin, Ames hyri drejtpërdrejt në ambasadën ruse në Uashington, D.C. Pasi hyri brenda, i dorëzoi recepsionistit një zarf që përmbante emrat e disa agjentëve të dyfishtë, dokumente që vërtetonin pozicionin e tij si pjesë e CIA-s dhe një shënim ku kërkonte 50 000 dollarë. Në një raport të Senatit, ai do të pretendonte se fillimisht e kishte menduar këtë si një marrëveshje të vetme, që do ta nxirrte nga gjendja e rëndë financiare. Por shumë shpejt kuptoi se kishte «kaluar një vijë [dhe] nuk mund të kthehesha më pas».

Gjatë nëntë viteve të ardhshme, Ames u pagua për t’i dorëzuar KGB-së një sasi të madhe informacionesh tepër sekrete. Ai merrte dokumente të klasifikuara, që përmbanin informacione nga pajisjet e përgjimit të lidhura me objektin hapësinor të Moskës deri te teknologjia më e fundit, e aftë të numëronte kokat bërthamore të raketave sovjetike, i mbështillte në qese plastike dhe thjesht i nxirrte jashtë ndërtesave të CIA-s. Meqenëse roli i tij përfshinte takime zyrtare me diplomatë rusë, ai shpesh mund të takohej drejtpërdrejt me kontaktet e tij në KGB pa ngjallur dyshime. Ai linte gjithashtu pako me dokumente të klasifikuara në vende të fshehta, të paracaktuara, të njohura si pika të dorëzimit të fshehtë (dead drops).

«Kur do të kryente një dorëzim të fshehtë, paraprakisht vendoste, për shembull, një shenjë me shkumës në një kuti postare. Rusët e shihnin atë shenjë dhe e kuptonin se dokumentet ishin vendosur aty», tha Wiser. «Më vonë, pasi i merrnin dokumentet, shkonin dhe e fshinin shenjën me shkumës. Kështu, ai e kuptonte se transferimi i dokumenteve ishte kryer në mënyrë të sigurt».

Përmes rrjedhjes së informacioneve sekrete të inteligjencës nga Ames, KGB-ja arriti të identifikonte pothuajse të gjithë spiunët e CIA-s në Bashkimin Sovjetik, duke i dhënë praktikisht fund operacioneve të fshehta amerikane atje. «Nuk njoh ndonjë spiun apo informator tjetër në SHBA që të ketë shkaktuar një humbje kaq të madhe jetësh njerëzore mes agjentëve në terren», tha Wiser. Zhdukja e papritur e kaq shumë agjentëve të CIA-s ngriti dyshime dhe nxiti kërkimin për spiunin brenda agjencisë në vitin 1986, por Ames arriti t’u shpëtonte kontrolleve për pjesën më të madhe të një dekade.

Për tradhtinë e tij, ai u shpërblye bujarisht, duke marrë gjithsej rreth 2,5 milionë dollarë nga Bashkimi Sovjetik. Ames bëri pak përpjekje për ta fshehur pasurinë e sapofituar. Edhe pse paga e tij nuk kishte kaluar kurrë 70 000 dollarë në vit, ai bleu me para në dorë një shtëpi të re me vlerë 540 000 dollarë, shpenzoi dhjetëra mijëra dollarë për përmirësime në banesë dhe bleu një makinë Jaguar. Pikërisht stili i tij luksoz i jetesës dhe shpenzimet e mëdha e vunë në qendër të vëmendjes dhe çuan përfundimisht në arrestimin e tij nga ekipi i FBI-së i Wiserit në vitin 1994.

Pas arrestimit nga FBI-ja, Ames bashkëpunoi me autoritetet. Ai zbuloi përmasat e veprimtarisë së tij të spiunazhit në këmbim të një marrëveshjeje pranimi fajësie, e cila siguroi një dënim më të butë për Rosarion. Ajo pranoi se kishte pasur dijeni për paratë dhe takimet e tij me sovjetikët. Rosario u lirua pas pesë vjetësh. Ames, oficeri i rangut më të lartë të CIA-s që është zbuluar ndonjëherë si agjent i dyfishtë, vazhdon të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm në një burg federal amerikan në Terre Haute, Indiana.

Deri në vdekjen e tij, Ames tregoi pak pendesë për veprimet e tij apo për vdekjet që ato shkaktuan. «Kishte një mendim shumë të lartë për veten», tha Wiser për Amesin. «Atij i vjen keq që u kap. Nuk i vjen keq që ishte spiun».

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC