Ravenna ishte në qendër të botës të paktën për pasditen e së dielës. Seria C italiane priti Ronaldinhon dhe entuziazmi i qytetit, prej ditësh ishte në nivelet më të larta. Në hyrjen e stadimut përpara ndeshjes radha ishte e gjatë ndërkohë që të gjitha biletat ishin të shitura.

Në momentin që Ronaldinho hyri në fushën e lojës, u dëgjua një brohoritje shumë e fortë dhe braziliani u prezantua para tifozëve të Ravenës duke u përulur, për të dhënë më pas spektakël në fazën e nxemjes, më pas Ravenna bëri një foto të veçantë të skuadrës pasi në të u përfshinë edhe lojtarët e stolit dhe stafi teknik.

Në tribunë ishin të shumtë ata që veshën fanellën e Ravennës me numrin 10 dhe emrin e Ronaldinhos në të, ndërkohë që edhe dyqani zyrtar i klubit u pushtua nga tifozët. Në tribuna, ishin edhe shumë kampionë futbolli dhe të sportit si Nelson Dida e Serginho, tenisti Fabio Fognini, Ariedo Braida e Flavio Briatore.

Ronaldinho duhej të qëndronte në fushë për rreth 30 minuta në formacionin titullar, por e luajti të gjithë pjesën e parë duke shfaqur cilësitë teknike dhe ishte i rrezikshëm në goditjet e këndit, por ai nuk mundi të gjejë golin e tij të 300 në karrierë. Në fund të pjesës së parë që u mbyll 1-0 me golin e Giulio Donatit, Ronaldinho përshëndeti gjatë publikun duke shkuar në fillim pranë sektorit të tifozëve ultras dhe më pas bëri një xhiro rreth fushës përpara se të shkonte në dhomat e zhveshjes.

Top Channel