Energjia për biznesin kushton një çerek më pak se në Bashkimin Evropian dhe më pak se në çdo vend anëtar të Ballkanit. Pak investitorë e dinë.
Bekim Besimi
Kur një investitor industrial mat vendet e Ballkanit me njëri-tjetrin, pyet për pagat, për taksat dhe për largësinë nga porti. Fatura e energjisë vjen zakonisht në fund të listës, si një zë që supozohet i ngjashëm kudo. Supozimi është i gabuar, dhe gabimi i kushton më shumë Shqipërisë sesa kujtdo tjetër.
Në gjysmën e parë të vitit 2026, sipas Eurostatit, një biznes i mesëm në Shqipëri pagoi 13.37 cent për kilovatorë, pa TVSH. Matja vlen për konsumatorët jo-familjarë me konsum vjetor nga 500 deri në 2,000 megavatorë, kategoria ku bie pjesa më e madhe e industrisë së lehtë, e përpunimit ushqimor dhe e shërbimeve të mëdha. Mesatarja e Bashkimit Evropian për të njëjtën kategori ishte 18 cent. Shqipëria qëndron 26 për qind më poshtë.
Një fabrikë që harxhon 1,000 megavatorë në vit paguan 133,700 euro në Shqipëri dhe 180,000 euro në një vend mesatar të Unionit. Në Itali, partnerin kryesor tregtar të Shqipërisë, e njëjta fabrikë paguan 225,300 euro. Të njëjtat makineri, me të njëjtin konsum, kushtojnë 91,600 euro më pak në vit në bregun lindor të Adriatikut.
Italia, me 22.53 cent, është e treta më e shtrenjtë në Union, pas Irlandës me 26.66 dhe Qipros me 23.06. Biznesi irlandez paguan gati dyfishin e atij shqiptar. Shqipëria paguan afërsisht sa Danimarka, Spanja dhe Portugalia, tri ekonomi që Eurostati i rendit ndër më të lirat e BE-së për energjinë e biznesit. Më poshtë në Union janë vetëm Suedia me 11.77 cent dhe Finlanda me 9.28.
Asnjë vend i BE-së në Ballkan nuk i ofron biznesit energji më të lirë se Shqipëria. Rumania, me 18.54 cent, e ka kaluar mesataren e Unionit dhe është 28 për qind më e shtrenjtë. Greqia paguan rreth 17 cent, afërsisht një të pestën më shumë. Kroacia është në 16.10 dhe Sllovenia në 14.63. Edhe Bullgaria, prej vitesh adresa e energjisë së lirë në BE, sot paguan 14.52 cent, mbi një cent më shumë se Shqipëria.
Shqipëria del më e lirë edhe se Serbia, ekonomia më e madhe e Ballkanit Perëndimor dhe rivalja kryesore për investimet industriale në rajon. Biznesi serb paguan 15.28 cent. Diferenca prej gati dy centësh i kushton fabrikës së shembullit tonë 19,100 euro në vit.
Më lirë se Shqipëria në gjithë gadishullin janë vetëm tri vende: Bosnja dhe Hercegovina me 11.86 cent, Maqedonia e Veriut me 11.83 dhe Mali i Zi me 8.92. Nga dhjetë vendet e Ballkanit për të cilat Eurostati ka të dhëna, gjashtë paguajnë më shumë se Shqipëria, dhe ndër to janë të gjitha ekonomitë e mëdha të rajonit.
Kosova mungon në statistikën e këtij gjashtëmujori. Që nga qershori 2025, bizneset kosovare me mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim blejnë energji në treg të hapur. Një prodhues nga Prizreni bëri publike këtë nëntor faturën e fabrikës së tij: 157,884 euro për 505,974 kilovatorë. Pa TVSH, çmimi del 28.89 cent, mbi dyfishin e atij shqiptar. Shifra vjen nga një faturë e vetme dhe jo nga një mesatare kombëtare, por është ajo që fabrika pagoi atë muaj.
Në Bullgari, energjia për biznesin u shtrenjtua 14.2 për qind brenda dymbëdhjetë muajsh. Në Rumani, rreth 7.9 për qind në euro. Mesatarja e BE-së ra 5.4 për qind dhe mbetet ende 4.6 cent mbi Shqipërinë.
Shqipëria e prodhon energjinë elektrike pothuajse tërësisht nga uji. Për një eksportues që shet në Evropë, ku blerësit pyesin gjithnjë e më shpesh me çfarë energjie është prodhuar malli, kjo është një kartë që pak vende të rajonit e mbajnë në dorë.
Nga të gjitha kostot e një fabrike, energjia është ndër të paktat që një investitor mund ta llogarisë përpara se të vijë. Sot ajo llogari del në favor të Shqipërisë: një çerek më lirë se Evropa, më lirë se çdo anëtar i BE-së në Ballkan, më lirë se Serbia.
Avantazhi ekziston. I mungon vetëm reklama.


