Studentët vijojnë të këmbëngulin se nuk do të pranojnë dialog me kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësuesit e qeverisë, duke argumentuar se kanë humbur besimin te pushteti aktual.
Një studente u shpreh nga protesta se që prej 31 majit të rinjtë kanë dalë në shesh për të kundërshtuar problematikat me të cilat përballen, ndërsa më 13 tetor lëvizjes iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, për shkak të të njëjtave shqetësime.
Ajo theksoi se vështirësitë ekonomike në Tiranë dhe mungesa e perspektivës po i detyrojnë të rinjtë të mendojnë largimin nga vendi, ndonëse dëshira e tyre është të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. E reja akuzoi gjithashtu politikën dhe qeverisjen e Edi Ramës se e kanë larguar vendin nga standardet europiane, duke theksuar se asnjë standard jetese në Shqipëri nuk përputhet me atë të vendeve të Bashkimit Europian.
Studentja kujtoi se protestuesit kanë dëshmuar se dinë të protestojnë në mënyrë paqësore, por sipas saj, për më shumë se 146 ditë janë injoruar dhe tallur nga kryeministri.
“Që nga 31 maji studentët ishin në protestë. Në 13 tetor u përfshinë edhe më tej, thuajse për të njëjtat arsye, që janë vështirësitë ekonomike me të cilat përballemi në Tiranë.
Më e trishtueshmja është që pasi të mbarojmë universitetin duhet të largohemi nga Shqipëria, duam që ta zhvillojmë jetën tonë këtu, por në një Shqipëri që na meriton, që është e drejtë që nuk vidhet dhe keqpërdoret.
Politika dhe pushteti i Ramës na ka larguar nga BE. Asnjë standard jetese në Shqipëri nuk i përket standardeve europiane. Ne e treguam se dinim të protestonim paqësisht. Ua injoruam dhe tallëm nga Rama për mbi 146 ditë.
Nuk ka dialog as me Ramën as me ministrat e tij, nuk kemi më besim në këtë qeveri. Nuk ka dialog as me sheshin as me studentët. E refuzojmë sepse e ka treguar disa herë gjatë këtyre ditëve që nuk meriton dialog”, tha ajo.
