Modernizimi i sektorit kulturor, projektligji i ri sjell lehtësira tarifore dhe autonomi financiare për institucionet

Kulturë | 1 minutë më parë

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka hedhur për shqyrtim projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”. Sipas relacionit shpjegues të firmosur nga ministri Blendi Gonxhja, kjo nismë ligjore synon “përmirësimin dhe modernizimin e kuadrit ligjor”, duke e përshtatur atë me zhvillimet bashkëkohore të sektorit dhe duke përfshirë forma të reja krijimtarie, si artet digjitale, krijimtaria audiovizuale dhe skena e pavarur kulturore.

Një nga risitë më të rëndësishme të projektaktit lidhet me reformimin e modelit të financimit për institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës. Projektligji parashikon që nga të ardhurat e realizuara prej shitjes së biletave dhe shfrytëzimit të pasurive e aseteve, “90 për qind përdoren për financimin e veprimtarisë së institucionit që i realizon”, ndërsa vetëm 10 për qind derdhen në Buxhetin e Shtetit. Këto fonde do të destinohen drejtpërdrejt për prodhime të reja artistike, repertorin vjetor, zhvillimin e audiencave, shpërblimet për cilësinë artistike dhe blerjen e veprave të artit.

Zgjerimi i institucioneve, qeverisja dhe tarifat e reduktuara

Ndryshimet e propozuara sjellin gjithashtu risi në strukturën institucionale dhe mënyrën e vendimmarrjes.

Institucionet e reja në ligj

Në listën e institucioneve publike qendrore përfshihen shprehimisht Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare të Librit dhe Leximit, duke garantuar ushtrimin e veprimtarisë së tyre mbi bazën e “parimeve të autonomisë profesionale dhe artistike, lirisë së shprehjes dhe krijimtarisë”.

Riformulimi i bordeve artistike

Bordet artistike do të përbëhen nga shtatë anëtarë, ku pesë prej tyre do të jenë personalitete të shquara të fushës së artit, të emëruar nga ministri mbi bazën e të paktën tri kandidaturave të propozuara nga titullari i institucionit. Anëtarët do të kenë mandat katërvjeçar dhe nuk lejohet të jenë të punësuar në institucionin ku funksionon bordi.

Tarifat dhe lehtësirat për publikun

Projektligji përcakton se tarifat e shërbimeve kulturore do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe do të bazohen në koston e shërbimit, duke parashikuar tarifa të reduktuara ose përjashtime nga pagesa për kategori të caktuara si “fëmijët, nxënësit dhe studentët, pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre, studiuesit”.

Relacioni nënvizon se zbatimi i këtij projektligji nuk parashikon krijimin e strukturave të reja administrative apo shtimin e shpenzimeve buxhetore për personel, por synon rritjen e kapaciteteve vetëfinancuese dhe transparencës financiare të institucioneve ekzistuese. Pas miratimit, institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës do të kenë një afat gjashtëmujor për të harmonizuar statutet dhe rregulloret e tyre të brendshme me dispozitat e reja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme