Kapshticë, bllokohen dy tentativa për kontrabandë me cigare dhe mallra të padeklaruara

Dy tentativa për futjen e mallrave kontrabandë në vend janë goditur brenda pak orësh nga shërbimet e Degës Doganore Kapshticë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në dy autobusë të transportit të udhëtarëve, shërbimet doganore kanë zbuluar mallra të fshehura dhe të padeklaruara, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Në rastin e parë, gjatë kontrollit të imtësishëm u konstatuan steka cigaresh, duhan i grirë, çanta dore dhe artikuj të tjerë me natyrë tregtare, të cilët nuk ishin deklaruar.
Ndërsa në rastin e dytë, gjatë kontrollit në vijën e dytë, u bllokua një sasi e konsiderueshme stekash cigaresh kontrabandë, të pajisura me pulla fiskale të huaja dhe të padeklaruara sipas legjislacionit në fuqi.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë kaluar institucioneve kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.
Kontrollet në pikën kufitare të Kapshticës janë intensifikuar me qëllim parandalimin e kontrabandës.
/vizionplus.tv




