Kriza humanitare në Gaza, Italia, Kanadaja, Australia dhe Britania e Madhe i bëjnë thirrje Izraelit të lejojë akses të menjëhershëm

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, i ka drejtuar sot një apel të hapur autoriteteve izraelite mbi përkeqësimin e kushteve humanitare në Rripin e Gazës. Qëndrimi është formalizuar përmes një deklarate të përbashkët të nënshkruar nga shefat e diplomacisë së Italisë, Australisë, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, siç bëri të ditur Ministria e Jashtme italiane (Farnesina).
Në deklaratën e tyre, katër ministrat e Jashtëm tërheqin vëmendjen për urgjencën e ndërhyrjes përpara uljes së temperaturave, duke theksuar se “me mbërritjen e dimrit në Gaza, situata humanitare në terren është dramatike”.
Për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes së popullsisë civile, vendet nënshkruese kërkojnë masa konkrete dhe të menjëhershme nga qeveria e Izraelit.
Diplomatët i bëjnë thirrje autoriteteve izraelite “që t’i japë fund menjëherë vonesave dhe të lejojë akses të menjëhershëm, të shpejtë dhe të papenguar humanitar në të gjithë Gazën”. Nënvizohet domosdoshmëria e sigurimit të kushteve bazë të mbijetesës në stinën e ftohtë, me kërkesën e prerë se “kalimet kufitare duhet të hapen dhe hyrja e tendave duhet të lejohet”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



