Italia, Australia, Kanadaja dhe Britania i bëjnë thirrje Izraelit: Lejoni menjëherë ndihmat humanitare në Gaza

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, i ka drejtuar sot një apel të hapur autoriteteve izraelite mbi përkeqësimin e kushteve humanitare në Rripin e Gazës.
Qëndrimi është formalizuar përmes një deklarate të përbashkët të nënshkruar nga shefat e diplomacisë së Italisë, Australisë, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, siç bëri të ditur Ministria e Jashtme italiane (Farnesina).
Në deklaratën e tyre, katër ministrat e Jashtëm tërheqin vëmendjen për urgjencën e ndërhyrjes përpara uljes së temperaturave, duke theksuar se “me mbërritjen e dimrit në Gaza, situata humanitare në terren është dramatike”.
Për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes së popullsisë civile, vendet nënshkruese kërkojnë masa konkrete dhe të menjëhershme nga qeveria e Izraelit.
Diplomatët i bëjnë thirrje autoriteteve izraelite “që t’i japë fund menjëherë vonesave dhe të lejojë akses të menjëhershëm, të shpejtë dhe të papenguar humanitar në të gjithë Gazën”.
Nënvizohet domosdoshmëria e sigurimit të kushteve bazë të mbijetesës në stinën e ftohtë, me kërkesën e prerë se “kalimet kufitare duhet të hapen dhe hyrja e tendave duhet të lejohet”.




