Tregu i zi i duhanit pëson rënien e parë në pesë vite, Australia sekuestron sasi rekord cigaresh dhe vape-sh
Edhe familjet më të pasura në SHBA po përballen me një shqetësim që deri vonë konsiderohej kryesisht problem i shtresës së mesme dhe asaj me të ardhura të ulëta: vështirësia e fëmijëve për të gjetur dhe mbajtur një vend pune.
Prindërit miliarderë po rishikojnë planet e tyre financiare dhe trashëgiminë që do t’u lënë pasardhësve, mes një tregu gjithnjë e më konkurrues të punës dhe ndikimit në rritje të inteligjencës artificiale.
Sipas këshilltarëve financiarë të familjeve me pasuri shumë të mëdha, kjo është kthyer në një shqetësim real për klientët e tyre, të cilët nuk janë më të sigurt se fëmijët do të mund të ndërtojnë të njëjtën karrierë dhe pavarësi financiare që patën brezat e mëparshëm.
Shifrat e tregut të punës në SHBA tregojnë se papunësia mes të diplomuarve të rinj është mbajtur në nivelin 5.6%, ndërsa 42.5% e tyre ishin të nënpunësuar në fund të vitit 2025. Kjo është përqindja më e lartë që prej vitit 2020.
Diploma universitare nuk garanton më një pagë të qëndrueshme, ndërsa ekonomistët paralajmërojnë se përhapja e inteligjencës artificiale mund të ndryshojë rrënjësisht vendet e punës në nivelet fillestare, të cilat tradicionalisht kanë qenë pika e nisjes për të sapodiplomuarit.
Tom Thiegs, drejtues për lidershipin dhe trashëgiminë në Ascent Private Capital Management, pjesë e U.S. Bank, i tha revistës “Fortune” se edhe miliarderët kanë burimet financiare për të mbështetur fëmijët e tyre, por shpesh e kanë të vështirë të përcaktojnë se çfarë u nevojitet për të pasur sukses në një realitet krejt ndryshe nga ai që përjetuan prindërit.
Edhe Patrick Dwyer, drejtues në kompaninë e menaxhimit të pasurisë Aligned by NewEdge Wealth, e cila administron financat e klientëve me pasuri që variojnë nga rreth 100 milionë deri në më shumë se 1 miliard dollarë, thotë se familjet e pasura po kuptojnë se rregullat e tregut të punës kanë ndryshuar.
Sipas tij, prindërit duhet të rishikojnë mënyrën se si i mbështesin financiarisht fëmijët, duke marrë parasysh edhe mundësinë që ata të kenë nevojë për rikualifikim profesional në moshën 33-vjeçare.
Shqetësimi prek veçanërisht të rinjtë nga mosha 22 deri në 35 vjeç, të cilët po hasin vështirësi për të siguruar dhe mbajtur vende pune në sektorë që tradicionalisht konsideroheshin të qëndrueshëm dhe me prestigj, si teknologjia, drejtësia dhe shëndetësia.
Për këtë arsye, sipas këshilltarëve financiarë, familjet me pasuri të mëdha po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të një pjese më të konsiderueshme të pasurisë te fëmijët e tyre, në mënyrë që t’u garantojnë siguri financiare në një të ardhme ku as arsimi universitar dhe as prejardhja familjare nuk ofrojnë më të njëjtat garanci për suksesin profesional.
Në këtë realitet, sfida nuk është më vetëm se sa pasuri do të trashëgojnë fëmijët e miliarderëve, por nëse ata do të jenë në gjendje të ndërtojnë një karrierë të pavarur në një treg pune që po ndryshon me shpejtësi.
Top Channel