
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë rikthimin në protesta, nëse qeveria nuk jep një zgjidhje përfundimtare për zhvillimin e provimit të jurisprudencës tërësisht në gjuhën shqipe. Përfaqësuesi i tyre, Mevlan Ademi, bëri të ditur se javën e ardhshme do të vendoset për hapat e mëtejshëm, duke lënë të hapur edhe mundësinë e një takimi të fundit me institucionet. Studentët kërkojnë një përgjigje konkrete se kur dhe si do të mund ta japin provimin në shqip.
Ademi kundërshtoi propozimin e kryeministrit Hristijan Mickoski për dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, duke e cilësuar atë si zvarritje të kërkesës së studentëve. Sipas propozimit të qeverisë, pjesa teorike e provimit do të mund të zhvillohej në shqip, maqedonisht, anglisht ose turqisht, ndërsa pjesa praktike vetëm në maqedonisht. Studentët argumentojnë se Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ua garantojnë të drejtën për ta zhvilluar provimin tërësisht në shqip.
Kjo përplasje nisi në fillim të vitit, kur rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike nënshkruan një peticion për zhvillimin e provimit në gjuhën në të cilën kanë kryer studimet. Deri më tani janë zhvilluar dy protesta, ndërsa Ademi rikujtoi se Mickoski kishte paralajmëruar që më 10 shkurt dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, por veproi vetëm nëntë muaj më vonë.
