Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse reagon pasi Estonia mbylli kufijtë me Rusinë, Zakharova: Një tjetër valë e rusofobisë agresive
Hakerë të lidhur me Korenë e Veriut kanë vjedhur më shumë se 400 milionë dollarë në kriptovaluta gjatë 18 muajve të fundit, përmes një skeme mashtrimi që shfrytëzonte video-thirrjet e rreme dhe inteligjencën artificiale.
Sipas Byrosë Federale të Hetimit (FBI), skema, e quajtur “FaceStealer”, synonte kryesisht persona që punojnë në sektorin e kriptovalutave dhe Web3, si dhe zhvillues të programeve me kod të hapur. Hakerët përdornin llogari të komprometuara për të dërguar ftesa për takime virtuale, duke u paraqitur si persona të njohur për viktimat. Gjatë video-thirrjeve, ata përdornin pamje të regjistruara më parë dhe video të krijuara me inteligjencë artificiale për të fituar besimin e tyre.
Më pas, paraqisnin një problem të rremë teknik dhe u kërkonin viktimave të klikonin në një lidhje për ta zgjidhur. Në këtë mënyrë, instalonin programe keqdashëse në pajisjet e tyre, duke mundësuar vjedhjen e kriptovalutave dhe marrjen e kontrollit të llogarive.
Sipas autoriteteve amerikane, në disa raste vjedhjet janë kryer disa muaj, madje edhe më shumë se një vit pas komprometimit fillestar të pajisjeve. FBI ka sekuestruar më shumë se 900 video të regjistruara nga kamerat e viktimave, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë ka njoftuar se ka ndërprerë infrastrukturën digjitale të përdorur në këtë skemë.
Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se vjedhjet e kriptovalutave janë një nga burimet e financimit të aktiviteteve të paligjshme të regjimit të Koresë së Veriut.
Top Channel