Shi dhe shtrëngata në disa zona të vendit, parashikimi i motit për këtë të hënë

Shqipëria pritet të përfshihet të hënën nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, si dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit.
Sipas parashikimit meteorologjik, pjesa e parë e ditës do të karakterizohet nga kthjellime të herëpashershme, ndërsa pas mesditës pritet shtim i vranësirave, të cilat do të bëhen mesatare deri të dendura.
Reshjet e shiut, me intensitet të ulët, do të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të vendit. Ndërkohë, në veri, në skajin veriperëndimor dhe pjesërisht në zonën qendrore, pas mesditës priten reshje me intensitet deri mesatar.
Në disa zona nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike, si dhe reshje të rrëmbyeshme për periudha të shkurtra kohore.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi juglindje-jugperëndim, me një shpejtësi mesatare prej 7 m/s. Herë pas here, ajo pritet të forcohet deri në 14 m/s, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore.
Sa i përket kushteve në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 2-4 ballë.




