Bota

Tragjedi në Tajlandë, 11 viktima dhe 17 të plagosur nga një zjarr!

Një zjarr i fuqishëm përfshiu një ndërtesë në Phuket, në jug të Tajlandës, në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar 11 viktima dhe 17 të plagosur.

Sipas autoriteteve lokale, zjarri shpërtheu rreth orës 02:00 në katin përdhes, në një dyqan që jep motoçikleta me qira, ndërsa katet e sipërme shërbejnë për banim. Ekipet zjarrfikëse punuan për rreth një orë për të vënë flakët nën kontroll.

Komandanti i policisë së Phuket, Surachai Sooksai, bëri të ditur se shkaku i zjarrit është nën hetim. Megjithatë, hetimet paraprake tregojnë se një transformator elektrik pranë ndërtesës kishte shpërthyer, pak para se të nisnin flakët.

Guvernatori i Phuket-it, Chodnarin Koedsom, deklaroi se në dyqanin e motoçikletave ndodheshin rreth 100 mjete, si dhe sasi benzine, vaj motori, materiale plastike e goma. Prania e këtyre materialeve të ndezshme dyshohet se favorizoi përhapjen e shpejtë të zjarrit dhe krijimin e tymit të dendur e toksik.

Sipas guvernatorit, viktimat duket se janë përpjekur t’i shpëtojnë flakëve duke u ngjitur drejt kateve më të larta të ndërtesës. Një trup u gjet në katin e tretë, ndërsa 10 të tjerë në të pestin.

Phuket është një ishull në jug të Tajlandës dhe një prej destinacioneve më të njohura turistike të vendit. Autoritetet vijojnë hetimet.