
Deputetja australiane Helen Haines ka lënë spitalin, rreth një muaj pasi u godit disa herë nga një automjet në një sulm të dyshuar të qëllimshëm, që i shkaktoi plagë të rënda dhe çoi në amputimin e të dyja këmbëve.
Sipas Euronews, eputetja 65-vjeçare u largua nga spitali “The Alfred” në Melburn të hënën dhe do të vijojë rehabilitimin në këtë qytet. Në reagimin e saj të parë publik që prej ngjarjes së 19 tetorit, Haines falënderoi personelin mjekësor dhe njerëzit që i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje.
“Ky është një moment vërtet pozitiv dhe jam plot mirënjohje për kujdesin profesional dhe të dhembshur që mora në spitalin Alfred dhe që po marr edhe në këtë fazë të re”, u shpreh ajo.
Haines u godit nga një automjet Toyota Land Cruiser jashtë zyrës së saj elektorale në qytetin Wangaratta, në shtetin e Viktorias. Pas ngjarjes, ajo u transportua me helikopter drejt Melburnit, ku mjekët u detyruan t’i amputonin të dyja këmbët për shkak të dëmtimeve të marra.
Për sulmin është arrestuar dhe akuzuar 43-vjeçari Brendan Nugent. Ai përballet me akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit që ka shkaktuar dëmtime të rënda, shkaktim të qëllimshëm të dëmtimeve të rënda dhe sulm ndaj një zyrtari publik federal.
Kryeministri australian Anthony Albanese tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me deputeten dhe familjen e saj, duke i uruar asaj një rikuperim sa më të mirë.
Haines u zgjodh në Parlamentin australian në vitin 2019, si përfaqësuese e pavarur e zonës elektorale Indi.